Aleanca për Shqiptarët e konsideron të papranueshme deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski, sipas së cilës Kushtetuta lejon arsimin në gjuhën shqipe në nivelet fillore dhe të mesme, por jo në arsimin universitar. Sipas ASH-së, një qëndrim i tillë cenon një prej arritjeve më të rëndësishme të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Partia rikujton se deputeti i saj, Halil Snopçe, i ka kërkuar kryeministrit të identifikojë nenin kushtetues që ndalon arsimin e lartë në gjuhën shqipe, por Mickoski nuk ka dhënë përgjigje.
Të lidhura
None found
“Pyetja mbetet ende pa përgjigje: cili nen i Kushtetutës e ndalon arsimin e lartë në gjuhën shqipe?”
ASH thekson se përcaktimi kushtetues për të drejtën e arsimimit në gjuhën amtare në arsimin fillor dhe të mesëm nuk përbën ndalim për arsimin universitar. Gjithashtu, pika 6.2 e Marrëveshjes së Ohrit parashikon qartë financimin nga shteti të arsimit universitar në gjuhët që fliten nga të paktën 20 për qind e popullsisë.
Sipas Aleancës për Shqiptarët, universitetet në gjuhën shqipe nuk janë krijuar falë vullnetit të ndonjë qeverie, por janë rezultat i dekadave të përpjekjeve, sakrificave dhe gjakut të derdhur.
Gjatë më shumë se dy dekadave, këto institucione të arsimit të lartë kanë përgatitur mijëra kuadro, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e këtij shteti.
ASH vëren gjithashtu se i njëjti kryeministër, i cili vetëm pak javë më parë e cilësonte të padiskutueshme të drejtën për arsim të lartë në gjuhën amtare, tani po vë në dyshim bazën kushtetuese të saj. Në të njëjtën kohë, studentët shqiptarë vijojnë të mos kenë mundësi ta japin të plotë provimin e jurisprudencës në gjuhën ku kanë përfunduar studimet.
“Çfarë ka ndryshuar në këtë periudhë: Kushtetuta, ligjet apo qëndrimi politik i kryeministrit?”
Aleanca për Shqiptarët i kërkon kryeministrit të japë një sqarim publik, të zbatojë në mënyrë të plotë Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe të mundësojë zhvillimin e provimit të jurisprudencës, si edhe të provimeve të tjera profesionale, në gjuhën shqipe.
Sipas ASH-së, kjo çështje duhet të trajtohet përtej interesave partiake dhe llogarive për pushtet, ndërsa garantimi i arsimit në gjuhën shqipe është detyrë e përbashkët e të gjithë përfaqësuesve politikë shqiptarë.
“Shqiptarët nuk kërkojnë privilegje, por respektimin e të drejtave të tyre”, shprehet ASH.







