Ukraina ka paraqitur një propozim për armëpushim në Detin e Zi, me qëllim garantimin e sigurisë së lundrimit dhe lejimin e eksporteve të produkteve bujqësore.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, i cili deklaroi më 27 nëntor se propozimet i janë përcjellë partnerëve ndërkombëtarë dhe se Kievi është në pritje të përgjigjes së Moskës.
Sipas Sybihas, marrëveshja synon rikthimin e lirisë së lundrimit në Detin e Zi dhe garantimin e transportit të sigurt të produkteve ushqimore, duke ndihmuar edhe sigurinë ushqimore në nivel global.
Sipas tij, Rusia kërkon që në kushtet e armëpushimit të përfshihen edhe transportet e naftës. Ukraina është e gatshme ta diskutojë këtë çështje, por vetëm në kuadër të një marrëveshjeje më të gjerë për armëpushim në sektorin energjetik.
“Ne jemi gati për armëpushim. Tani presim përgjigjen e Rusisë. Të gjitha propozimet tona janë përcjellë”, deklaroi Sybiha.
Deri më tani nuk ka një përgjigje përfundimtare nga Moska për propozimin ukrainas.












