Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatori z. Dardan Fusha, u takua me znj. Paulina Dejmek Hack, Drejtoreshë e Përgjithshme për Stabilitet Financiar, Shërbime Financiare dhe Unionin e Tregjeve të Kapitalit (DG FISMA) në Komisionin Evropian.

Diskutimi u përqendrua te zbatimi i reformave në sektorin financiar të Kosovës, përafrimi me legjislacionin e BE-së dhe modernizimi i sistemeve të pagesave.


Duke iu referuar Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, Guvernatori Ismaili nënvizoi përparimin e evidentuar në fushën e shërbimeve të pagesave, në kalimin drejt mbikëqyrjes bankare të bazuar në rrezik dhe në zhvillimin e kuadrit për rimëkëmbjen dhe zgjidhjen e bankave. Ai prezantoi projektin e BQK-së për vlerësimin teknik të ekuivalencës së kuadrit ligjor, rregullativ dhe mbikëqyrës bankar të Kosovës me kuadrin përkatës të BE-së, me synim identifikimin e fushave ku nevojitet përafrim i mëtejshëm. Përfaqësuesit e BQK-së diskutuan gjithashtu për reformat në sektorin e sigurimeve, zhvillimin e kuadrit rregullativ për kriptoasetet dhe iniciativat për zhvillimin e tregut të kapitalit në Kosovë.

Guvernatori Ismaili prezantoi vënien me sukses në funksion të Sistemit të Pagesave të Shpejta të Kosovës (TIPS-K), të zhvilluar në bashkëpunim me Bankën e Italisë. Më 23 nëntor u realizuan transferet e para të menjëhershme ndërmjet klientëve të katër bankave pjesëmarrëse, duke shënuar fillimin e ofrimit gradual të shërbimit për qytetarët dhe bizneset.

Përfaqësuesit e BQK-së informuan për aplikimin formal të dorëzuar më 6 nëntor 2026 në Këshillin Evropian të Pagesave (EPC) për përfshirjen e Kosovës në shtrirjen gjeografike të skemave të Zonës Unike të Pagesave në Euro (SEPA). Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje për komentet teknike të DG FISMA gjatë fazës së paraaplikimit dhe theksoi gatishmërinë e BQK-së për të ofruar sqarime shtesë sipas procedurave të EPC-së.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e BQK-së vlerësuan bashkëpunimin me Bankën Qendrore Evropiane (BQE) dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian për ngritjen e kapaciteteve institucionale përmes programit rajonal për bankat qendrore dhe autoritetet e mbikëqyrjes bankare të Ballkanit Perëndimor.

Në përmbyllje të takimit, Guvernatori Ismaili e uroi znj. Dejmek Hack për emërimin dhe shprehu gatishmërinë e BQK-së për të vijuar dialogun teknik me DG FISMA për zbatimin e reformave dhe përafrimin e sektorit financiar të Kosovës me kuadrin e BE-së.

Takimi në Bruksel u zhvillua një ditë pas pjesëmarrjes së Guvernatorit Ismaili dhe Zëvendësguvernatorit Fusha në Seminarin e Këshillit të Përgjithshëm të BQE-së në Frankfurt. Më herët gjatë javës, ata morën pjesë, së bashku me përfaqësuesit e pesë bankave të tjera qendrore të rajonit, në ceremoninë e lansimit zyrtar të platformës TIPS Clone për Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga Banka e Italisë në Romë.