Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka depozituar një padi ndaj socialistit Taulant Balla, me pretendimin se ky i fundit ka bërë deklarata shpifëse ndaj tij gjatë një seance në Kuvend.
Në qendër të përplasjes ligjore është deklarata e Ballës se Agron Shehaj kishte paguar para për t’u përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë. Basha i konsideron këto pretendime të pavërteta, duke argumentuar se kanë dëmtuar reputacionin dhe dinjitetin e tij.
Përmes padisë, Basha kërkon që gjykata të detyrojë Ballën të tërheqë publikisht deklaratën dhe të publikojë një përgënjeshtrim në mediat kombëtare, me shpenzimet e tij.
Në kërkesëpadi, Basha thekson se liria e shprehjes dhe debati politik nuk mund të përdoren si mburojë për deklarata faktike të pavërteta që cenojnë figurën e një individi.
“Liria e shprehjes dhe debati politik nuk përbëjnë imunitet nga përgjegjësia ligjore për deklarata faktike të pavërteta që cenojnë reputacionin dhe dinjitetin e individit”, thuhet në dokumentin e depozituar në gjykatë.
Basha kërkon që çështja të shqyrtohet mbi bazën e fakteve dhe provave, duke theksuar se statusi politik i palëve nuk duhet të përbëjë privilegj për askënd.














