Qeveria miratoi një akt normativ të ri për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve, një ditë përpara protestës kombëtare të paralajmëruar për 28 nëntor. Akti, me 16 nene, përcakton përgjegjësi financiare jo vetëm për autorët e akteve të dhunës, por edhe për organizatorët e protestave, sipas kushteve të parashikuara në nenin 9. Ky nen sqaron se organizatorët ose individët që kanë zhvilluar, drejtuar dhe organizuar tubimin përgjigjen solidarish me autorët për dëmin, përveç rastit kur provohet se veprimet e dhunshme nuk janë nxitur prej tyre dhe se nuk kanë pasur mundësinë që t’i parandalojnë ato.
Shteti mund të kompensojë plotësisht ose pjesërisht dëmet ndaj pronës së qytetarëve dhe bizneseve me aktivitet tregtar nën 14 milionë lekë në vit, edhe kur autori i dëmit nuk është identifikuar. Avokatura e Shtetit do t’u kërkojë personave të përgjegjshëm kthimin e shumave të paguara; nëse detyrimi nuk shlyhet brenda 30 ditësh dhe nuk lidhet një marrëveshje restauruese, ndaj tyre mund të ngrihet padi në gjykatë. Akti përmend se Avokatura fton subjektin përgjegjës që të kthejë vullnetarisht shumën e kompensimit dhe, nëse kjo nuk ndodh, është e autorizuar të ngrejë padinë e regresit në masën e kompensimit të dhënë.
Për dëmet ndaj pasurisë shtetërore dhe publike, Avokatura e Shtetit, pavarësisht nëse vendoset kompensimi paraprak, kërkon në çdo rast shpërblimin e dëmit në emër dhe për llogari të institucioneve publike. Akti parashikon gjithashtu mundësinë e shlyerjes së detyrimeve financiare, tërësisht ose pjesërisht, me punë në interes publik përmes një marrëveshjeje vullnetare; për të miturit kërkohet pëlqimi i prindërve, dhe puna duhet të jetë e përshtatshme për moshën dhe të mos pengojë shkollimin.
Në akt sanksionohet se askush nuk mban përgjegjësi vetëm për shkak të pjesëmarrjes në një tubim. Vendimmarrja e qeverisë vjen pasi Kuvendi miratoi në orët e para të mëngjesit dy akte normative për ndryshime në ligjin “Për tubimet” dhe për kompensimin e bizneseve të dëmtuara gjatë protestave. Ndryshe nga akti i mëparshëm, akti i ri nuk kufizohet në një periudhë të caktuar, por përcakton një mekanizëm të përgjithshëm për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve gjatë tubimeve.
