Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria miraton kompensimin e bizneseve të dëmtuara nga protestat, përgjegjësit do të paguajnë dëmet


Qeveria ka miratuar një akt normativ që parashikon kompensimin e qytetarëve dhe bizneseve për dëmet materiale të shkaktuara gjatë protestave të dhunshme dhe tubimeve të ndryshme.

Sipas skemës së miratuar, shteti do të paguajë fillimisht dëmet, ndërsa më pas do të kërkojë rikuperimin e shumave nga personat përgjegjës për shkaktimin e tyre.

Përfitues të kompensimit mund të jenë individët dhe bizneset me aktivitet vjetor nën 14 milionë lekë, për dëmet e shkaktuara në pronat e tyre gjatë protestave.

Skema parashikon kompensimin e pasurive të pasiguruara, si dhe rastet kur sigurimi nuk mbulon dëmet e shkaktuara nga trazirat apo aktet e dhunshme. Dëmshpërblimi mund të jepet edhe kur autorët nuk janë identifikuar.

Pas pagesës së kompensimit, shteti do të ketë të drejtën të kërkojë kthimin e shumës nga personat që kanë shkaktuar dëmin. Procesin do ta ndjekë Avokatura e Shtetit, e cila fillimisht do t’u kërkojë përgjegjësve shlyerjen vullnetare të detyrimit. Nëse kjo nuk realizohet, shteti mund t’i drejtohet gjykatës për rikuperimin e parave.

Përgjegjësia mund të shtrihet edhe te organizatorët dhe drejtuesit e tubimeve, të cilët parashikohen të mbajnë përgjegjësi solidare për dëmet e shkaktuara.

Ata mund të përjashtohen nga kjo përgjegjësi nëse provojnë se dhuna nuk është nxitur prej tyre dhe se nuk kanë pasur mundësi ta parandalojnë.

Rregullat e parashikuara në aktin normativ zbatohen për tubimet në vende publike, pavarësisht nëse janë të njoftuara, të ndaluara apo spontane. Përfshihen gjithashtu aktivitete sportive, kulturore dhe festive.

Akti parashikon edhe rikuperimin e dëmeve të shkaktuara ndaj institucioneve dhe pronës publike, të cilat do të kërkohen nga personat përgjegjës, pavarësisht nëse shteti ka kompensuar paraprakisht dëmet ndaj pronës private.

Një tjetër mundësi e parashikuar është shlyerja e detyrimit financiar përmes punës në interes publik, por kjo mund të realizohet vetëm me pëlqimin e lirë të debitorit.

Qeveria thekson se skema nuk synon të kufizojë protestat paqësore, ndërsa përgjegjësia do të lindë për veprime konkrete të dhunës, dëmtimit të pronës apo nxitjes së tyre.