Sipas autoriteteve, në bord janë gjetur nga tetë deri në dhjetë trupa, ndërsa gjashtë persona janë transportuar me helikopter drejt spitalit në gjendje të rëndë shëndetësore.

Varka u zbulua rreth 39 milje detare, apo 72 kilometra, në jug të ishullit El Hierro dhe po tërhiqej drejt portit La Estaca. Ndërkohë, 84 të mbijetuar nga një tjetër varkë kanë zbarkuar në portin La Restinga, ku ndodhet qendra e pranimit të migrantëve dhe një spital fushor.

Kjo tragjedi vjen në kohën kur numri i migrantëve që mbërrijnë në Ishujt Kanarie është rritur ndjeshëm që nga tetori. Më 25 nëntor, në ishuj u regjistruan rreth 2 mijë e 100 mbërritje brenda një dite, shifër rekord. Shumica e tyre arritën në El Hierro, ishull me rreth 11 mijë e 400 banorë.

Udhëheqësi rajonal, Fernando Clavijo, ka shprehur dhimbjen për tragjedinë dhe ka kërkuar veprime nga Qeveria spanjolle dhe Komisioni Evropian.

“Shumë dhimbje dhe ndjenjë pafuqie përballë kësaj tragjedie të re”, ka shkruar ai në platformën X.

“Emergjenca humanitare nuk fillon në El Hierro, por në brigjet e Senegalit dhe Gambisë, ku duhet të veprojmë”, ka shtuar Clavijo.

Ngjarja ndodh vetëm pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të së dielës në Spanjë, ku çështja e migracionit është kthyer në një nga temat kryesore të fushatës zgjedhore.

Kryeministri Pedro Sanchez ka mbështetur publikisht përfitimet ekonomike të migracionit, ndërsa partitë e djathta kërkojnë kontrolle më të rrepta ndaj hyrjes së migrantëve në vend.

Çdo vit, mijëra migrantë përpiqen të kalojnë Oqeanin Atlantik me varka të mbipopulluara, duke synuar të arrijnë në territorin spanjoll. Kjo rrugë konsiderohet ndër më të rrezikshmet në botë, për shkak të detit të trazuar dhe rrymave të fuqishme. Mbërritjet zakonisht shtohen gjatë vjeshtës, kur kushtet detare janë përgjithësisht më të favorshme.