Gjermania dhe Austria kanë hedhur një propozim për përfshirjen e Bashkimit Evropian në pronësinë e platformës sociale TikTok, duke argumentuar se masat rregullatore nuk janë të mjaftueshme për të garantuar sigurinë e të dhënave dhe transparencën e algoritmit.

Ministri gjerman për Kulturë dhe Media, Wolfram Weimer, pas një takimi me sekretarin austriak për Digjitalizimin, Alexander Proll, deklaroi se platforma në pronësi kineze ngre shqetësime për sigurinë në Evropë.

Të dy vendet synojnë të sigurojnë mbështetjen e shteteve të tjera anëtare për këtë nismë, të cilën planifikojnë ta paraqesin në mbledhjen e Këshillit për Telekomunikacion dhe Energji (TTE), që do të zhvillohet në Bruksel.

Propozimi synon të hapë diskutimin për një rol të drejtpërdrejtë të BE-së në pronësinë e platformës, përtej masave të zakonshme të mbikëqyrjes dhe rregullimit.

Nga ana tjetër, TikTok e ka kundërshtuar këtë ide, duke argumentuar se aktivitetet e saj në Evropë janë të regjistruara në Irlandë dhe Britaninë e Madhe dhe se ato i nënshtrohen legjislacionit në fuqi në këto vende.