AKTUALITET

“Dorëheqja e Ramës dhe qeveria teknike, rruga më normale”, Goci: Shqipëria sot është protesta!

18:41 - 27.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pedagogu Ervin Goci, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet politike në vend, Samitin BE-Ballkani Perëndimor dhe protestën, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike.

Goci u shpreh se Shqipëria sot përfaqësohet nga protesta, ndërsa deklaroi se integrimi europian nuk mund të realizohet me Edi Ramën në krye të qeverisë.

Sipas tij, largimi i kryeministrit mund të vijë vetëm përmes reagimit qytetar, revoltës dhe mosbindjes. Ai e cilësoi dorëheqjen e Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike si zgjidhjen më normale në kushtet aktuale politike.

Pedagogu komentoi gjithashtu situatën brenda Partisë Socialiste, duke e cilësuar atë si një subjekt të kalbur politikisht. Ai theksoi se përplasjet e fundit dhe zhvillimet që përfshijnë figura të mazhorancës, sipas tij, janë shenja të një konflikti të brendshëm për pushtet.

Goci u ndal edhe te pozicionimi i Elisa Spiropalit, duke deklaruar se ajo duhet të ndërmarrë një lëvizje politike, ndërsa përmendi si moment të rëndësishëm edhe votimin për imunitetin e Belinda Ballukut.

Sipas tij, brenda PS-së janë krijuar përplasje të forta, pasi, siç shtoi ai, po lëvizin pozitat e drejtuesit të partisë dhe legjitimiteti i tij brenda strukturave politike.

Po ashtu Goci paralajmëroi se vazhdimi i kësaj situate mund të ketë pasoja për vetë Partinë Socialiste, duke theksuar se përplasjet e brendshme rrezikojnë të dëmtojnë të gjithë subjektin politik.

“Nëse duhet bërë një proces integrimi kjo nuk mund të ndodhë me Edi Ramën. Nuk ka integrim me Edi Ramën në karrige. Mos ndodhtë kurrë që Rama të rrijë edhe një vit në karrigen ku është. Nëse ndodh do jetë një fatkeqësi për Shqipërinë. Ramën e largon vetëm populli, revolta , mosbindja. Kur e shikon që ky nuk lëviz fare, atëherë e motivon edhe më shumë. Në momentin që populli të vjen te dera dhe kërkon dorëheqje dhe qeveri teknike është gjëja më normale. Sepse nuk kemi kërkuar kokën e Ramës. Edi Rama nëse do të vazhdojë karrierën politike të japë dorëheqjen, të fusë qeveri teknike dhe meqë thotë kam 800 mijë vota t’i luajë kartat. Unë mendoj se ai dhe PS është një subjekt i kalbur. Nuk ofendoj elektoratin socialist, jo për të fyer. Por ai si subjekt është i kalbur dhe po e thotë Spiropali, Erion Veliaj, ata që janë të vetë PS. Në PS me Edi Ramën në krye janë të mbaruar, dhe brenda partisë janë krijuar disa përshtjellime dhe këto ‘prerje kokash janë për shkak të luftës së brendshme. Dhe lufta nisi sepse pozitat e drejtuesit të partisë dhe ai që e konsideron veten mbret kanë lëvizur fort. Dhe kur lëviz legjitimiteti i të parit të tjerët lëvizin. Elisa Spiropali më shumë se për të shpëtuar veten, nëse nuk bën një lëvizje tani,…lëvizja që kur u votua imuniteti i Ballukut aty ishte lëvizja…Por ata e kuptojnë që ky zotëria po merr në qafë partinë. Kemi Koçekun, Veliajn, Spiropalin , kemi disa njerëz që i kanë dalë hapur kundër”, tha ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.