Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Kamëz, Dhimitër Vata, ka denoncuar problematikat e shumta me të cilat përballen qytetarët, duke akuzuar kryebashkiakun socialist Rakip Suli për keqmenaxhim të fondeve publike, tendera me pikëpyetje, mungesë të ujit të pijshëm dhe punësime nepotike në administratën vendore.
Gjatë fjalës së tij në Foltoren e Ripërtëritjes, në prani të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, Vata u shpreh se demokratët e Kamzës nuk janë dorëzuar gjatë 13 viteve në opozitë.
Ai deklaroi se më 9 maj 2027 synojnë t'ia rikthejnë bashkinë qytetarëve dhe Partisë Demokratike.
Dhimitër Vata: I nderuar kryetar i Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha. Të nderuar deputetë dhe drejtues të Partisë Demokratike. Të dashur demokratë të Kamzës dhe të Paskuqanit. Të nderuar qytetarë dhe pjesëmarrës në këtë takim. Së pari, në emër të degës së Partisë Demokratike, dua t'ju uroj përzemërsisht mirëseardhjen në qytetin tonë kryetarit, profesor doktor Sali Berisha. I dashur doktor, mirë se erdhe në Kamëz. Ju mirëpret një qytet që ka histori dhe kontribut në pluralizmin politik, rrëzimin e komunizmit, që ka sakrifikuar, ka besuar te demokracia, që ka ditur të qëndrojë në këmbë edhe në ditët më të vështira.
Por sot doktor, nuk jemi mbledhur vetëm për t'ju uruar mirëseardhjen. Jemi mbledhur për të folur hapur, pa doreza dhe pa frikë për problemet e Shqipërisë dhe problemet e Kamzës. Mbi të gjitha, ka nevojë për një bashki që i shërben qytetarëve dhe jo interesave të pushtetit. Të dashur të pranishëm, prej vitesh Edi Rama dhe qeveria e tij na flasin për Shqipërinë turistike, për investime madhështore, për kulla, për rritje ekonomike, për suksese sipas tyre që po transformojnë Shqipërinë. Por le të dalim nga ekranet televizive dhe të shkojmë te familjet shqiptare. Çfarë gjejmë atje? Gjejmë pensionistë që numërojnë lekët e fundit për të blerë ilaçet. Gjejmë prindër që mezi përballojnë shpenzimet e shkollave për fëmijët. Gjejmë të rinj që nuk shohin perspektivë dhe që detyrohen të largohen nga vendi. Gjejmë punonjës në të gjithë Shqipërinë dhe Kamzën që mezi nxjerrin muajin me të ardhurat e tyre dhe nuk përballojnë dot shpenzimet për familjet. Çmimet rriten ndërsa pagat dhe pensionet mbeten shumë larg nevojave reale të qytetarëve. Kjo është Shqipëria e përditshme, ajo që nuk shfaqet në ekranet propaganduese qeveritare.
Një pensionist që ka punuar 40 vite të jetës së tij nuk duhet të zgjedhë midis ilaçeve apo ushqimeve. Një prind nuk duhet të ketë frikë se nuk do t'ia arrijë të përballojë shpenzimet e muajit. Një i ri që mbaron universitetin nuk duhet të detyrohet të marrë rrugët e emigracionit sepse në vendin e tij nuk ja del dot. Ndërkohë, Shqipëria përballet me korrupsion, abuzim me pushtetin, lidhje të rrezikshme të politikës me krimin e organizuar dhe interesave të tjera ekonomike. Një shembull shqetësues është sektori i ndërtimit, ku ngritja e kullave dhe qarkullimi i sasive të mëdha të parave kërkojnë transparencë edhe kontroll të rreptë mbi burimet e kapitalit. Ne nuk jemi kundër ndërtimit, jemi kundër pastrimit të parave të korrupsionit dhe pasurimit të atyre që përfitojnë nga lidhjet me pushtetin. Ne duam një Shqipëri ku të pasurohet ai që punon në mënyrë të ndershme, investon dhe krijon punë dhe jo ai që përfiton nga pushteti në mënyrë klienteliste. Të dashur qytetarë, sot dua të ndalem veçanërisht te Kamza. Qytetarët tanë duan përgjigje për atë që ndodh në rrugët e tyre, në lagjet e tyre, në bashkinë që administron taksat e tyre. Prej vitesh kryetari i bashkisë Kamëz, Rakip Suli, na paraqet një panoramë të shkëlqyer të punëve të bashkisë sipas tija. Në çdo raport flitet për transformim, për kilometra rrugësh, për ujësjellës-kanalizime, për shkolla, për investime të jashtëzakonshme e të tjera si këto. Por le ta shohim realitetin siç është. A kanë të gjithë qytetarët e Kamzës ujë të pijshëm mjaftueshëm, pa diskutuar për ujë 24 orë? A janë zgjidhur problemet e kanalizimeve? A janë të gjitha rrugët e rregulluara e të mirëmbajtura? A është Kamza e pastër në çdo lagje apo vetëm aty ku kalojnë kamerat? A ka transparencë për tenderat dhe paratë që shpenzon bashkia? Dhe pyetja më e rëndësishme: a po marrin qytetarët shërbimin që meritojnë? Sepse një kryetar bashkie nuk vlerësohet nga numri i fotografive që publikon nëpër rrjetet sociale, por nga cilësia e jetës së qytetarëve të bashkisë ku ai drejton. Le të flasim për ujin. Pas gjithë viteve të premtimeve dhe investimeve të deklaruara, shumë familje vazhdojnë të përballen me probleme me furnizimin me ujë të pijshëm.
Sipas raportimeve mbi auditimin e kontrollit të lartë të shtetit, humbjet e ujit në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve Kamëz janë të jashtëzakonshme dhe mjaft të larta. Si është e mundur që një ndërmarrje të ketë humbje kaq të mëdha ndërkohë që qytetarët vazhdojnë të shqetësohen për furnizimin, e nga ana tjetër shtohet numri i të punësuarve në mënyrë të jashtëzakonshme? Ku shkojnë paratë e investimeve? Kush mban përgjegjësi për administrimin e dobët? Pse qytetarët duhet të përballen ende edhe sot me mungesë të ujit të pijshëm? Uji është jetik, nuk është luks. Nuk është privilegj dhe nuk mund të jetë diçka që mbetet për premtime elektorale të përvitshme. Kryeministri e pat premtuar atë që në 2013-ën që do ta mbaronte në shkallë Shqipërie në mandatin e parë problemin e ujit të pijshëm dhe nuk do të ishte më çështje e premtimeve elektorale. Le të flasim për tenderat dhe paratë publike. Në bashkinë Kamëz janë ngritur vazhdimisht pikëpyetje për mënyrën se si janë zhvilluar tenderat dhe si menaxhohen fondet publike. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se kush i fiton tenderat, si përzgjidhen kompanitë dhe nëse punët realizohen me cilësinë që paguhen. Nuk mund të ketë para publike pa përgjegjësi publike. Nuk mund të përdoren paratë e qytetarëve pa transparencë.
Flamujt e kuq janë prezent në pjesën më të madhe të prokurimeve publike të bashkisë Kamëz. Ne kërkojmë transparencë për çdo kontratë, për çdo investim dhe për çdo shpenzim të bashkisë Kamëz. Paratë e bashkisë nuk janë paratë private të kryetarit, janë paratë e qytetarëve. Le të flasim për rrugët, për infrastrukturën. Na flasin për qindra kilometra rrugë të ndërtuara dhe të rehabilituara, por qytetarët duan të dinë se ku janë këto rrugë dhe çfarë cilësie kanë këto rrugë. Në Kamëz, Bathore, Paskuqan, Valia, Slaknas, Babrru, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë rrugë më të mira, trotuare, ndriçim, kanalizime. Nuk mund të asfaltohet një rrugë në qytet sot dy metër gjerësi, pa e gërmuar fare atë, duke shtruar tapetin mbi dhe, dhe pa diskutuar pastaj për trotuare e ndriçim dhe infrastrukturë nëntokësore. Nuk mund të bëhen investime vetëm për t'u inauguruar pa menduar nëse ato do t'u shërbejnë qytetarëve gjatë apo do të hapen brenda muajit për të futur një kanal, për të futur një tub. Kamza ka nevojë për punë të mira, jo për fotografi të mira. Dhe qytetarët e dinë shumë mirë se në ato rrugë kalojnë përditë. Ata nuk kanë nevojë për propagandë, kanë nevojë t'u tregohet si është lagjja e tyre reale. Le të flasim për ndërtimet dhe zhvillimin urban. Kamza është rritur shumë, por kjo rritje duhet të shoqërohet edhe me planifikim urban. Nuk mund të vazhdojmë të ndërtojmë pa menduar se ku do të kalojnë njerëzit, ku do të parkohen makinat, ku do të luajnë fëmijët, ku do të ndërtohen shkolla, kopshte, çerdhe, ku do të lihen hapësirat publike. Sot qytetarët përballen me trafik të rënduar, me mungesë hapësirash publike. Kamza nuk duhet të kthehet në një qytet ku ndërtesat rriten më shpejt se infrastruktura dhe shërbimet publike. Ne duam zhvillim, por duam zhvillim të drejtë, të kontrolluar dhe në interes të qytetarëve. Le të flasim për papunësinë, varfërinë dhe shërbimet. Kamza është një qytet i njerëzve punëtorë. Shumë familje kanë ardhur me shpresë për të ndërtuar një jetë më të mirë. Sot kemi të rinj që kërkojnë punë, prindër që përpiqen të mbajnë familjet e tyre me paga të ulëta, pensionistë që mezi përballojnë shpenzimet dhe biznesi i vogël që lufton çdo ditë për mbijetesë.
Çfarë ka bërë bashkia për të krijuar më shumë vende pune? Çfarë ka bërë për të mbështetur biznesin e vogël? Çfarë ka bërë për të rinjtë që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre në qytetin e tyre? Çfarë ka bërë bashkia për strehimin e banorëve që janë të pamundur për të pasur një shtëpi të tyre? A ka respektuar ajo ligjin e 3 përqindëshit të pallateve të reja që duhet të shkojë për strehim social? Po për punësimin? Punësimi nuk duhet të jetë një çështje miqsh as çështje bindjesh politike. Tejfryrja e administratës dhe ndërmarrjeve publike të bashkisë Kamëz me punësime politike dhe nepotike janë jo vetëm një zgjedhje e gabuar, por është e paligjshme, pasi taksat e qytetarëve duhet të kthehen atyre në shërbime, jo të shkojnë për rroga për militantë të Partisë Socialiste. Çdo qytetar duhet të ketë mundësi të barabarta për punësim, pavarësisht bindjeve të tij politike. Edhe pastrimi i qytetit duhet të jetë shërbim i përditshëm në çdo lagje, në çdo rrugë. Qytetarët kanë nevojë për parqe të mirëmbajtura, kënde lojërash të sigurta, shkolla të mira, kopshte, çerdhe e shërbime. Të nderuar demokratë të Kamzës, sot dua t'ju drejtohem veçanërisht juve. Dua t'ju falënderoj për qëndresën, për sakrificat, për kontributin tuaj të gjatë gjatë gjithë këtyre viteve dhe sidomos këtyre 13 viteve në opozitë. Këto 13 vite nuk kanë qenë aspak të lehta. Kemi qenë në protesta, kemi bërë denoncime, kemi ngritur zërin për padrejtësitë, kemi përballuar presione, largime nga puna apo poste që mbanin vetëm se ishin të djathtë. Dhe prapë e kemi mbajtur lart frymën e opozitarizmit në Kamëz. Kemi trokitur në dyer të institucioneve, kemi dëgjuar shqetësimet e qytetarëve, kemi ngritur zërin për problemet në lagjet tona, kemi qëndruar në ditë të vështira kur shumëkush mendonte se demokratët do të tullaten dhe do të dorëzohen.
Por ne nuk u dorëzuam. Ju nuk u dorëzuat. Nuk u dorëzuam sepse besojmë te demokracia, nuk u dorëzuam sepse besojmë te Partia Demokratike, nuk u dorëzuam sepse besojmë se Kamza meriton një të ardhme më të mirë. Edhe në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, megjithëse fituam, demokratët e Kamzës u përballën me një garë jashtëzakonisht të vështirë dhe krejt të pabarabartë, me problematika të evidentuara gjerësisht nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Ne nuk duhet të harrojmë asnjë prej këtyre problematikave. Vota e qytetarit duhet të jetë e lirë, e fshehtë dhe e paprekshme. Askush nuk ka të drejtë ta blejë, ta manipulojë apo ta përvetësojë atë pa vullnetin e lirë të zgjedhësit. Demokratët e Kamzës kanë treguar se dinë të qëndrojnë dhe qëndrueshmëria e tyre është pjesë e historisë politike të qytetit. Të nderuar të pranishëm, Kamza ka nevojë për përgjegjësi, ka nevojë për dinjitet, për zhvillim. Ka nevojë për një qytet ku fëmijët të kenë shkolla të mira, të rinjtë të kenë perspektivë, familjet të kenë mundësi ekonomike dhe të moshuarit të jetojnë me dinjitet. Ka nevojë për institucione që dëgjojnë qytetarët dhe që nuk shmangen nga përgjegjësitë. Ne do të vazhdojmë të ngremë zërin për çdo problem, të kërkojmë transparencë dhe të kërkojmë llogari për çdo vendim që prek jetët e qytetarëve.
Dua t'i shpreh edhe njëherë mirënjohjen profesor doktor Sali Berishës për praninë e tij sot në Kamëz dhe për këtë mundësi komunikimi drejtpërdrejt me demokratët. I dashur doktor, Kamza ka shumë çështje, shumë problematika që kërkojnë vëmendje. Ka qytetarë që duan dëgjuar, ka familje që kanë nevojë për mbështetje, ka probleme që kërkojnë zgjidhje konkrete. Dhe në përfundim dua të them se Kamza ka një histori të gjatë politike dhe një të ardhme që duhet të ndërtohet mbi demokracinë, përgjegjësinë dhe respektin për qytetarët. Kamza nuk është pronë e asnjë kryetari bashkie, Kamza nuk është pronë e asnjë pushtetari. Kamza është e qytetarëve të saj. Më 9 maj 2027, demokratët e Kamzës, Bathores, Laknasit, Valisë, Zall-Mnerit, Bulçeshit, Paskuqanit dhe Babrrusë janë të vendosur për t'ia kthyer bashkinë Kamzës, qytetarëve të saj, për t'ia kthyer Partisë Demokratike. Mirënjohje për të gjithë për praninë dhe kontributin tuaj të vazhdueshëm. Zoti ju bekoftë, rroftë Kamza, rroftë Partia Demokratike, rroftë Shqipëria!
© SYRI.net
Teliti: 40 mijë patronazhistë sigurojnë pagën 800 mijë lekë çdo muaj! Pensionistët 1 kaush fara në 2 ditë
Mercenarizmi/ Pas shpërblimit të parë nga qeveria, Hitaj shpërblim ekstra për dhunuesit e protestuesve
VIDEO/ Nesho: Vizita e ambasadorit amerikan në SPAK, paralajmërim për sistemin e kalbur të qeverisjes së Ramës