Qeveria ka miratuar rregullat për ngritjen dhe funksionimin e sistemit të unifikuar të thirrjeve emergjente 112, i cili synon të përmirësojë reagimin e institucioneve në situata që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.

Sistemi do të ofrojë shërbim 24 orë në 24, gjatë gjithë vitit, në gjuhën shqipe dhe angleze. Administrimi, drejtimi, mbikëqyrja dhe koordinimi i tij do t’i ngarkohen Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Një prej risive kryesore është përdorimi i teknologjisë AML (Advanced Mobile Location), e cila mundëson identifikimin e vendndodhjes së telefonuesit përmes pajisjeve inteligjente me sistem operativ Android dhe iOS. Të dhënat e pozicionit do të mund të sigurohen gjithashtu përmes infrastrukturës së rrjeteve telefonike fikse dhe të lëvizshme.

Kjo teknologji pritet të ndihmojë në përcaktimin më të shpejtë të vendndodhjes së qytetarëve, veçanërisht në rastet kur ata nuk janë në gjendje të japin një adresë të saktë.

Sistemi i ri do të ofrojë edhe mundësi komunikimi përmes SMS-ve dhe formave të tjera të komunikimit me tekst, përfshirë videon, kur kjo të jetë teknikisht e mundur. Këto alternativa synojnë të lehtësojnë aksesin në shërbimin 112 për personat me aftësi të kufizuara në dëgjim ose të folur.

Vendimi parashikon gjithashtu që çdo telefonatë drejt numrit të emergjencës të regjistrohet dhe të ruhet në një databazë, ku të dhënat mund të përdoren më vonë nga organet ligjzbatuese, në rastet kur kërkohen nga autoritetet përkatëse.

Operatorët e sistemit do të kenë përgjegjësinë të identifikojnë natyrën e emergjencës dhe vendndodhjen e personit që kërkon ndihmë, si dhe ta lidhin atë me shërbimin përgjegjës.

Ata do të ndjekin vijimësinë e komunikimit deri në krijimin e kontaktit me institucionin që do të ofrojë asistencën. Ndërkohë, sistemi 112 do të jetë i ndërlidhur me sallat operative të institucioneve shtetërore përgjegjëse për emergjencat, duke mundësuar edhe koordinimin e disa shërbimeve njëkohësisht kur situata kërkon ndërhyrjen e tyre.