Grabiten dyqane Pokémon në Los Angeles, karta me vlerë 30 mijë dollarë u vodhën brenda dy orësh

27/11/2026 19:01

Dy dyqane që tregtojnë karta dhe produkte Pokémon në Los Angeles janë grabitur brenda më pak se dy orësh, ndërsa autorët kanë arritur të marrin mallra me vlerë rreth 30 mijë dollarë.

Grabitja e parë u regjistrua rreth orës 04:00 të mëngjesit në dyqanin “Gary’s Pokémart”, në Woodland Hills. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë tre persona që thyejnë derën e përparme prej xhami dhe futen me shpejtësi brenda, duke marrë një sasi të konsiderueshme produktesh.

Mes artikujve të vjedhur raportohet se kishte karta të rralla, produkte të vulosura, kuti koleksioni, pako përforcuese dhe artikuj të tjerë të serisë Pokémon. Pas ngjarjes, pronari i dyqanit ofroi një shpërblim prej 20 mijë dollarësh për këdo që jep informacion që mund të çojë në identifikimin dhe arrestimin e autorëve.

Vetëm rreth 40 minuta më vonë, në orën 05:40, një tjetër dyqan Pokémon, “PokeMall TCG”, në South Robertson Boulevard, u bë objekt i një grabitjeje të ngjashme. Dy persona thyen derën prej xhami për të hyrë në ambientet e biznesit, por këtë herë policia arriti të ndërhyjë në kohë.

Oficerët arrestuan njërin prej të dyshuarve në vendngjarje, ndërsa personi i dytë u kap rreth një bllok më tutje.

Sipas raportimeve, kjo është hera e tretë që “PokeMall TCG” bëhet shënjestër e grabitësve gjatë gjashtë muajve të fundit. Në fund të qershorit, tre persona kishin vjedhur karta me vlerë afro 10 mijë dollarë brenda më pak se një minute. Një tjetër incident ishte regjistruar edhe në muajin maj, kur dy persona u filmuan duke marrë produkte nga dyqani.

Ndërkohë, autorët e grabitjes së parë u larguan nga vendngjarja me një automjet Mercedes ngjyrë argjendi, përpara mbërritjes së forcave të policisë.

Hetimet për të dyja ngjarjet vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e personave të përfshirë në grabitjen e “Gary’s Pokémart”.

Top Channel