Dy dyqane që tregtojnë karta dhe produkte Pokémon në Los Angeles janë grabitur brenda më pak se dy orësh, ndërsa autorët kanë arritur të marrin mallra me vlerë rreth 30 mijë dollarë.
Grabitja e parë ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit në dyqanin “Gary’s Pokémart” në Woodland Hills. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë tre persona që thyejnë derën e përparme prej xhami dhe futen brenda, duke marrë sasi të konsiderueshme produktesh. Mes artikujve të vjedhur raportohet se kishte karta të rralla, produkte të vulosura, kuti koleksioni, pako përforcuese dhe artikuj të tjerë të serisë Pokémon. Pronari i dyqanit ofroi një shpërblim prej 20 mijë dollarësh për këdo që jep informacion që mund të çojë në identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Pas ngjarjes, autorët u larguan me një automjet Mercedes ngjyrë argjendi, para mbërritjes së forcave të policisë.
Rreth 40 minuta më vonë, në orën 05:40, një tjetër dyqan Pokémon, “PokeMall TCG” në South Robertson Boulevard, u bë objekt i një grabitjeje të ngjashme. Sipas raportimeve, dy persona thyen derën prej xhami për të hyrë në ambientet e biznesit. Policia arriti të ndërhyjë dhe arrestoi njërin prej të dyshuarve në vendngjarje, ndërsa personi i dytë u kap rreth një bllok më tutje.
PokeMall TCG është bërë shënjestër e grabitësve më parë; raportohet se kjo është hera e tretë gjatë gjashtë muajve të fundit. Në fund të qershorit, tre persona kishin vjedhur karta me vlerë afro 10 mijë dollarë brenda më pak se një minute. Një incident tjetër u regjistrua në maj, kur dy persona u filmuan duke marrë produkte nga dyqani.
Hetimet për të dyja ngjarjet vijojnë. Autoritetet po punojnë për identifikimin e personave të përfshirë në grabitjen e “Gary’s Pokémart” dhe për zbardhjen e rrethanave të ngjarjeve.
