Tirana vijon të jetë në atmosferë proteste edhe këtë të premte. Qytetarë të shumtë janë grumbulluar përpara godinës së Kryeministrisë, ku kanë përsëritur thirrjet kundër qeverisë dhe Edi Ramës.
Ndryshe nga tubimet që bllokojnë akset kryesore, këtë herë protestuesit janë vendosur në hapësirën e trotuarit, duke lënë të lirë Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe qarkullimin e automjeteve.
Në mesin e të pranishmëve bien në sy edhe flamujt kuq e zi, ndërsa thirrjet kundërshtuese kanë shoqëruar tubimin gjatë zhvillimit të tij.
Mbledhja e sotme vjen në prag të protestës së paralajmëruar për 28 Nëntorin, duke shërbyer si një tjetër thirrje për mobilizim në tubimin e nesërm. Deri në këto momente, nuk raportohen incidente dhe situata paraqitet e qetë.













