Qeveria ka miratuar një akt normativ që parashikon kompensimin e qytetarëve dhe bizneseve për dëmet materiale të shkaktuara gjatë protestave dhe tubimeve publike. Sipas këtij mekanizmi, shteti do të paguajë fillimisht dëmet dhe më pas do t’u kërkojë llogari financiare personave përgjegjës.
Kompensimi parashikohet për individët dhe bizneset me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë, prona e të cilëve dëmtohet nga aktet e dhunës gjatë tubimeve. Pagesa do të kryhet vetëm për pasuritë e pasiguruara, ndërsa për pronat e siguruara përgjegjësia i takon kompanive të sigurimit, sipas kontratave përkatëse.
Vendimi për kompensimin nuk do të jetë automatik, pasi për çdo rast do të nevojitet një vendim i veçantë i Këshillit të Ministrave, i cili do të përcaktojë kriteret, shumën dhe mënyrën e pagesës.
Pas kryerjes së kompensimit, Avokatura e Shtetit do t’u kërkojë personave përgjegjës kthimin e shumës së paguar. Nëse detyrimi nuk shlyhet vullnetarisht brenda 30 ditëve, institucioni mund t’i drejtohet gjykatës për rikuperimin e parave.
Një element tjetër i aktit normativ është përgjegjësia e organizatorëve të protestave. Ata mund të mbajnë përgjegjësi solidare me personat që kanë kryer dëmtimet, në rastet kur provohet se kanë nxitur aktet e dhunës ose nuk kanë marrë masa për t’i parandaluar ato.
Ndërkohë, akti parashikon edhe mundësinë që personat përgjegjës të shlyejnë detyrimet përmes punës në interes publik, nëse pranojnë të lidhin një marrëveshje me Avokaturën e Shtetit.
Në dokument theksohet se përgjegjësia nuk lind thjesht nga pjesëmarrja në një tubim, por nga veprimet konkrete të personave apo organizatave. Gjithashtu, akti nënvizon se zbatimi i tij nuk duhet të cenojë të drejtën kushtetuese për tubim paqësor dhe lirinë e shprehjes.
Ndërsa pagesat e ndihmës ekonomike dhe ato për aftësinë e kufizuar përjashtohen nga sekuestrimi për shlyerjen e këtyre detyrimeve.












