Të gjesh personin e duhur mund të jetë më e vështirë nga sa mendohet. Sipas një përllogaritjeje të matematicienes britanike Rachel Riley, e njohur si prezantuese e emisionit televiziv “Countdown”, shanset për të takuar partnerin ideal janë vetëm 1 në 562.
Studimi u realizua në vitin 2017, kur Riley analizoi të dhënat e platformës së njohur të takimeve eHarmony, në bashkëpunim me studiues nga Universiteti i Bath.
Në përllogaritje u përfshinë 18 faktorë që ndikojnë në përzgjedhjen e partnerit, mes tyre mosha e preferuar, tërheqja fizike, statusi i marrëdhënies dhe distanca që një person është i gatshëm të përshkojë për të takuar dikë.
Pas analizimit të këtyre kritereve, studiuesit arritën në përfundimin se vetëm rreth 84 mijë të rritur në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar përputheshin me preferencat mesatare të një individi. Kjo u përkthye në një mundësi prej vetëm 1 në 562 për të gjetur dashurinë.
Megjithatë, probabiliteti ndryshonte në varësi të moshës dhe vendbanimit. Në Londër, për shembull, shanset ishin më të larta, me një mundësi në 394, kryesisht për shkak të numrit më të madh të njerëzve që jetojnë në kryeqytetin britanik.
