Një ditë para protestës kombëtare, që do të zhvillohet në kryeqytet, qeveria ka miratuar aktin normativ që përcakton rregullat e reja për kompensimin e dëmeve të shkaktuara ndaj pronës private dhe publike gjatë akteve të dhunës në tubime. Vendimi i qeverisë vjen pas protestave të dhunshme të muajit tetor dhe parashikon dëmshpërblimin paraprak nga shteti për qytetarët dhe bizneset e vogla, që dëmtohen gjatë tubimeve, por në fund barra financiare do të përballohet nga personat përgjegjës për aktet e dhunës. “Qëllimi i këtij akti normativ është të sigurojë kompensimin efektiv të dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve; të garantojë që barra financiare e dëmeve të shkaktuara të përballohet nga personat përgjegjës për shkaktimin e tyre, nëpërmjet mekanizmave të rikuperimit të shumave të paguara nga shteti. Ky akt normativ zbatohet për tubimet në vende publike ose të hapura për publikun, pavarësisht nëse janë të njoftuara, të ndaluara apo spontane, përfshirë tubimet me rastin e veprimtarive sportive, kulturore ose festive”.