Gjatë një vizite të rrallë në Bruksel muajin e kaluar, kandidatja kryesore e së djathtës ekstreme franceze për presidente, Marine Le Pen, u dërgoi një paralajmërim 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Ajo tha se ato nuk duhet të arrijnë një marrëveshje për buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së përpara zgjedhjeve presidenciale franceze, të cilat ajo ka shanse të mira t’i fitojë.
Udhëheqësja e së djathtës ekstreme, e cila ka kërcënuar të shkurtojë kontributin e Parisit në financat e bllokut, e cilësoi çdo përpjekje për të arritur një marrëveshje të tillë përpara votimeve në Francë pranverën e ardhshme si “një skandal demokratik brenda BE-së”, i cili do të “rrezikonte ta bënte buxhetin të paligjshëm”.
Megjithatë, udhëheqësit e bllokut po përpiqen të arrijnë një marrëveshje për buxhetin këtë vit. Të enjten, ata emëruan gjithashtu spanjollin Pablo Hernández de Cos si presidentin e ri të Bankës Qendrore Evropiane, një vendim që u mor më herët për të paraprirë zgjedhjet në Francë dhe vende të tjera.
Një euroskeptike e vendosur, e cila më parë kaloi më shumë se një dekadë duke bërë thirrje për largimin e Francës nga BE-ja, ose “Frexit”, Le Pen përfaqëson tashmë sfidën më të madhe populiste ndaj bllokut në historinë e tij.
Edhe pse BE-ja është përballur më parë me figura që kanë kundërshtuar integrimin evropian, nga Margaret Thatcher në Britani te Viktor Orbán në Hungari, asnjëra prej tyre nuk ka pasur aq shumë pushtet apo potencial për të dëmtuar projektin evropian sa një presidente franceze nga e djathta ekstreme.
Le Pen dëshiron të përmbysë status quo-në në një sërë çështjesh — mbështetjen për Ukrainën, emigracionin, epërsinë e ligjit evropian dhe Marrëveshjen e Gjelbër — si dhe të zvogëlojë ndjeshëm fuqinë e institucioneve të bllokut, duke nisur me një buxhet shumë më të vogël.
Kundërshtimi i saj ndaj çdo zgjerimi të mëtejshëm të bllokut mund të krijojë gjithashtu probleme për Mbretërinë e Bashkuar, nëse kjo e fundit dëshiron të ribashkohet me BE-në.
Ndërsa zyrtarët e BE-së po përgatisin plane rezervë për një presidencë të Le Pen, disa prej tyre shpresojnë se tregjet financiare do të veprojnë si kufizuesi përfundimtar i ambicieve të saj, veçanërisht për shkak të gjendjes së rëndë të financave publike franceze. Nga ana e saj, Le Pen i tha Financial Times në një intervistë muajin e kaluar se dëshironte një “provë force” me bllokun.
Jean-Paul Garraud, drejtuesi i anëtarëve të Parlamentit Evropian nga partia Rassemblement National, argumenton se epoka e integrimit të BE-së, gjatë së cilës institucionet qendrore fituan pushtet “në kurriz të shteteve anëtare”, po i vjen fundi.
“Ardhja e Marine Le Pen në pushtet do t’i japë goditjen përfundimtare këtij zhvillimi”, thotë ai.
Ndryshe nga tri fushatat e mëparshme të pasuksesshme të Le Pen për presidencën franceze, këtë herë 58-vjeçarja, udhëheqëse e RN-së, kryeson me diferencë të madhe në sondazhe, ndërsa më shumë se tre të katërtat e votuesve kërkojnë ndryshime rrënjësore pas gati një dekade nën drejtimin e Presidentit Emmanuel Macron.
Votimet do të zhvillohen gjithashtu në një moment delikat për Evropën, ndërsa lufta në shkallë të gjerë e Rusisë kundër Ukrainës po hyn në vitin e saj të gjashtë, garancia amerikane e sigurisë është vënë në pikëpyetje dhe praktikat tregtare të Kinës po ushtrojnë presion mbi prodhuesit e kontinentit.
Duke qenë se Le Pen tashmë konsiderohet si skenari bazë, dy diplomatë evropianë thanë se kanë nisur diskutimet mbi mënyrën se si ligji i BE-së mund të përdoret për të zbutur ose bllokuar planet e saj më ekstreme.
Në disa fusha, zyrtarët argumentojnë se Komisioni Evropian duhet të paraqitet si aleat i Le Pen, si për shembull në çështjen e emigracionit, ku tashmë ka ashpërsuar politikat e kontrollit kufitar nën presionin e liderëve të tjerë nacionalistë.
Në fusha të tjera, BE-ja po përpiqet të arrijë marrëveshje për çështjet që mund të zgjidhen përpara një presidence të Le Pen. Përveç përpjekjeve të bllokut për të arritur një marrëveshje për buxhetin dhe përzgjedhjes së presidentit të BQE-së, Gjermania po kërkon financim afatgjatë për Ukrainën, për të neutralizuar premtimin e Le Pen për të kufizuar mbështetjen ndaj Kievit.
Mbështetësit e një BE-je më të integruar shpresojnë se Le Pen nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të zbusë qëndrimet e saj të ashpra. Ata i referohen mënyrës se si një tjetër udhëheqëse nacionaliste, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, është treguar pragmatike që nga ardhja në pushtet në vitin 2022, duke vepruar brenda rregullave të BE-së, duke bashkëpunuar me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për emigracionin dhe tregtinë, si dhe duke mbështetur Ukrainën.
“Ajo së shpejti do të kuptojë se sa e varur është Franca nga BE-ja dhe tregu i përbashkët”, thotë një zyrtar i lartë i BE-së. “Kjo u ka ndodhur të gjithë populistëve”.
Zyrtarët e lartë të RN-së e hedhin poshtë krahasimin me Melonin, për shkak të dallimeve në mënyrën se si qeverisen Franca dhe Italia, si dhe peshës së ndryshme ekonomike dhe ushtarake të të dy vendeve.
“Marine do të bëjë atë që thotë se do të bëjë”, thotë Philippe Olivier, eurodeputet i lartë dhe kunati i Le Pen. “Meloni është deri diku e kufizuar dhe e neutralizuar nga angazhimet dhe premtimet financiare të bëra ndaj BE-së”. Ai shton se kryeministrja italiane do të jetë “një aleate e natyrshme” në shumë çështje.
Zyrtarët evropianë argumentojnë gjithashtu se Le Pen do të frenohej në mënyrë të pashmangshme nga vështirësitë fiskale të Francës dhe frika e shkaktimit të një krize borxhi. Deficiti i vendit këtë vit do të arrijë në 5.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), niveli më i lartë në Eurozonë. Muajin e kaluar, yield-i i obligacioneve franceze 10-vjeçare — i cili lëviz në drejtim të kundërt me çmimin e tyre — u rrit mbi 5 për qind për herë të parë që nga viti 2002, megjithëse që atëherë ka rënë sërish nën këtë nivel.
Sipas zyrtarëve, një presidente franceze vështirë se mund t’i lejonte vetes të përkeqësonte marrëdhëniet me institucionet e BE-së, të cilat duhet të shqyrtojnë planet buxhetore të Francës ose mund t’i vijnë në ndihmë në rast të një shitjeje masive të obligacioneve në tregjet e borxhit, përmes ndërhyrjes së BQE-së. Edhe pse Le Pen e përshkroi barrën e borxhit të Francës si një kufizim “gjigant” në intervistën e saj për FT-në, RN këmbëngul se nuk ka nevojë të zbusë politikat e saj ndaj BE-së për të ruajtur besimin e investitorëve.
Benjamin Haddad, ministri francez për Evropën, argumenton se, nëse zgjidhet, Le Pen do ta çojë Parisin drejt një përplasjeje të drejtpërdrejtë me Brukselin, ku përplasjet e para do të lidhen me buxhetin dhe ndihmën për Ukrainën.
“Besoj se RN-ja do të na çonte de facto drejt një forme të Frexit-it”, thotë ai. “Ose një largim real, ose një largim të maskuar. Të dyja mund të jenë të dëmshme, në një kohë kur, përkundrazi, kemi nevojë për një Evropë të fortë në arenën ndërkombëtare”.
Ai shton: “Ajo është ideologjikisht kundër projektit evropian dhe kjo do të shkaktonte një krizë me BE-në”.
Shtet problematik?
E djathta ekstreme franceze nuk ka qenë gjithmonë kaq armiqësore ndaj BE-së. Babai i Marine Le Pen, Jean-Marie Le Pen, i cili themeloi partinë Front National në vitin 1972 dhe shërbeu në Parlamentin Evropian për më shumë se 30 vjet, e shihte bashkimin evropian si një mburojë kundër komunizmit dhe mbështeste bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe ekonomisë.
Qëndrimet e tij ndryshuan pas Luftës së Ftohtë dhe traktatit të Mastrihtit të vitit 1992, i cili hapi rrugën për bashkimin ekonomik dhe monetar. Kundërshtimi ndaj Brukselit u bë pjesë qendrore e identitetit të FN-së dhe Frexit u shpall si një objektiv i saj.
Megjithatë, Parlamenti Evropian, me sistemin e tij proporcional të votimit që favorizon partitë më të vogla, ishte gjithashtu vendi ku shumë politikanë të së djathtës ekstreme fituan për herë të parë poste të zgjedhura, siguruan financime dhe rritën profilin e tyre politik.
Kur partia e Le Pen, e njohur tashmë si RN, përballej me vështirësi financiare, ajo dyshohet se përdori gjithashtu fondet e akorduara për eurodeputetët e saj për të financuar aktivitetin e saj në Francë. Le Pen dhe zyrtarë të tjerë të partisë u shpallën fajtorë vitin e kaluar për përvetësimin e rreth 4.4 milionë eurove nga fondet e BE-së. Çështja vazhdon të rëndojë mbi të, ndërsa një apel përfundimtar është ende në pritje.
Qëndrimi i Le Pen ndaj BE-së ka evoluar: gjatë fushatës presidenciale të vitit 2012, ajo kërkonte largimin nga euro dhe rinegocimin e traktateve kryesore, ndërsa në vitin 2017 kërcënoi ta nxirrte Francën nga BE-ja, nëse kjo e fundit nuk pranonte reforma gjithëpërfshirëse.
Ky qëndrim i paqartë i dha mundësinë Macronit, asokohe një ish-bankier 39-vjeçar me paraqitje të rafinuar, ta mposhtte atë me një pyetje të vetme gjatë debatit të tyre të parë televiziv presidencial. Ai e pyeti nëse dëshironte largimin nga euro, duke e lënë atë të belbëzonte dhe të konsultonte me nervozizëm shënimet e saj.
Ky dështim i rëndë la gjurmë te Le Pen dhe e çoi atë të braktiste çdo diskutim për Frexit. Deri në vitin 2022, premtimi i saj elektoral ishte transformimi i bllokut nga brenda. Edhe pse sondazhet tregojnë se francezët janë ndër popujt më euroskeptikë, mezi një e katërta e tyre dëshiron që vendi të largohet realisht nga BE-ja, një qëndrim i përforcuar nga përvoja e vështirë e Mbretërisë së Bashkuar me Brexit-in.
“Qytetarët francezë janë qartësisht në favor të mbështetjes për Ukrainën dhe në favor të Bashkimit Evropian”, thotë Haddad. “Dhe kjo është një nga arsyet përse ne do ta mposhtim atë në zgjedhjet e ardhshme”.
Sot, megjithëse Le Pen nuk dëshiron më që Franca të largohet nga BE-ja, ajo thotë se do ta shndërrojë bllokun në një “Evropë të Kombeve”, duke i dhënë fund tejkalimit të pretenduar të kompetencave nga institucionet e tij qendrore dhe duke e reduktuar Komisionin Evropian në një “sekretariat”. RN-ja premton ta rikthejë presidenten e Komisionit, von der Leyen — armiken e saj të betuar — brenda kufijve të kompetencave të saj.

Pasojat e një ndryshimi të tillë të qëndrimit nga Franca — një anëtare themeluese me ndikim të madh dhe kontribuuesja e dytë më e madhe neto në buxhetin e BE-së — do të ishin të thella.
Presidenti francez është një kreu shteti i zgjedhur drejtpërdrejt, me pushtet pothuajse të plotë mbi politikën e jashtme dhe mbrojtjen, edhe pa pasur shumicën parlamentare. Ai ka autoritetin e vetëm mbi arsenalin bërthamor francez. Mekanizmat e kontrollit dhe balancimit të pushteteve janë më të kufizuar, pasi koalicionet janë të rralla.
Në nivelin e BE-së, megjithëse shtetet e tjera anëtare shpesh e konsiderojnë Francën arrogante dhe të papërgjegjshme në aspektin fiskal, Parisi ruan ndikim të konsiderueshëm, pasi vendimet shpesh varen nga marrëveshjet me Berlinin. Franca humbet beteja, siç ndodhi kur u votua kundër saj për miratimin e një marrëveshjeje tregtare me bllokun tregtar Mercosur të Amerikës së Jugut. Por, nën drejtimin e Macronit, ajo ka arritur të bindë shumë vende për një qëndrim që dikur konsiderohej tipik francez: se Evropa ka nevojë për më shumë “autonomi strategjike” në industri, energji dhe mbrojtje, në mënyrë që të mbrohet nga fuqitë e mëdha.
Le Pen mund të bashkojë rreth vetes udhëheqës të tjerë nacionalistë, si homologët e saj në Sllovaki, Çeki dhe Slloveni, dhe të krijojë një grup euroskeptik mes liderëve kombëtarë. Ajo mund të përpiqet gjithashtu të krijojë një partneritet me Melonin.
“Ato mund të bashkëpunojnë për ta bërë Francën dhe Italinë motorin e ri të BE-së, duke zëvendësuar të ashtuquajturin çift franko-gjerman, i cili nuk ka funksionuar”, thotë Marion Maréchal, eurodeputete dhe mbesa e Le Pen, e cila mbështet afrimin e partive të djathta në Parlamentin Evropian.
Por mbetet e paqartë nëse Roma apo kryeqytetet e tjera do ta mbështesin Le Pen. Ajo rrezikon të largojë nga vetja vendet më të varfra të BE-së, të cilat mund të humbasin përfitimet nga planet e saj buxhetore.
“Le Pen thotë se dëshiron ta ndryshojë Evropën nga brenda, por për ta bërë këtë nevojiten aleatë”, thotë Pascale Joannin, drejtuese e Fondacionit Robert Schuman. “Ajo dëshiron një Francë sovrane, por jo një Francë plotësisht të izoluar”.
Aurore Lalucq, eurodeputete e së majtës, thotë se Le Pen do të jetë e rrezikshme edhe nëse ka pak aleatë. “Sigurisht që ajo do të ketë pushtet real, edhe nëse ky është thjesht një pushtet negativ për të penguar vendimmarrjen”, thotë ajo. “Kujtoni sa e vështirë ishte të menaxhoheshin manovrat e Orbánit. A mund ta imagjinoni këtë me Francën?”
Le Pen ka deklaruar se do të shkurtojë kontributin e Francës në buxhetin e BE-së, duke kursyer 11 miliardë euro në vitin 2027 dhe më shumë në vitet pasuese. Ajo dëshiron të vendosë një “çmim kombëtar” për energjinë elektrike, të bazuar në kostot e prodhimit francez dhe jo në çmimet evropiane të tregut me shumicë, duke rrezikuar një përplasje me rregullat e tregut të përbashkët të BE-së.
Udhëheqësja e së djathtës ekstreme kundërshton gjithashtu çdo zgjerim të mëtejshëm të BE-së, përfshirë anëtarësimin e Ukrainës, një lëvizje që, sipas saj, mund të rezultojë fatale për jetesën e fermerëve francezë.
Në fakt, një presidencë e Le Pen mund të pengojë përpjekjet e mundshme të kryeministrit britanik Andy Burnham për ta rikthyer vendin e tij në bllok. Ajo i tha FT-së muajin e kaluar: “Britanikët nuk do të kthehen për sa kohë që ne nuk i kemi trajtuar realisht të gjitha mangësitë që i shtynë të largoheshin”.
Ndërkohë, në Francë, RN-ja pritet t’i paraqesë Brukselit një sfidë me pasoja të mëdha. Le Pen ka premtuar prej kohësh mbajtjen e një referendumi për ndryshimin e Kushtetutës franceze, me qëllim lejimin e kufizimeve gjithëpërfshirëse ndaj emigracionit dhe realizimin e një prej premtimeve kryesore të RN-së: vendosjen e parimit të “preferencës kombëtare”, për t’u dhënë qytetarëve francezë përparësi në strehimin social, përfitimet sociale dhe vendet e punës.
Kjo lëvizje do t’u mundësonte gjykatave franceze të shpërfillnin ligjet e BE-së që ndalojnë politika të tilla, duke krijuar atë që RN-ja e quan një “mburojë kushtetuese”. Kjo do të sfidonte rendin ligjor të vendosur nga traktatet e BE-së, sipas të cilave shtetet anëtare duhet të respektojnë ligjin evropian dhe Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. RN-ja mund të shkaktonte kështu një përballje të zgjatur ligjore me Brukselin.
Garraud, drejtuesi i eurodeputetëve të RN-së, thotë se një referendum kushtetues në Francë është i panegociueshëm: “Ai do të zhvillohet menjëherë, absolutisht menjëherë, sepse nuk mund të qeverisësh nëse nuk ke kontroll mbi politikën e emigracionit. Është thjesht e pamundur”.
Catherine Fieschi, eksperte e populizmit në Institutin Universitar Evropian në Firence, argumenton se refuzimi i pagesës së detyrimeve buxhetore dhe krijimi i preferencës kombëtare do të përbënin shkelje të traktateve të BE-së dhe marrëveshjeve të Francës me shtetet e tjera anëtare.
“Mund të mos jetë Brexit”, thotë ajo. “Por do të ishte shndërrimi i Francës në një anëtare problematike të BE-së, që vepron jashtë rregullave”.
Rëndësia e parave
Ndoshta ndikimi më i menjëhershëm i një presidencë të Le Pen do të ishte në ndihmën për Ukrainën, çka mund të çonte në një bllokim të marrëveshjes për buxhetin e BE-së. Por Berlini dhe kryeqytetet e tjera shqetësohen se rreziku i vërtetë është një krizë fiskale në Francë, e cila mund të përhapet edhe në vende të tjera të Eurozonës.
Udhëheqësja e RN-së është zotuar të ndërpresë ndihmën financiare për Kievin gjashtë muaj pas marrjes së detyrës, duke argumentuar se Franca nuk mund ta përballojë më këtë shpenzim. Ajo ka sugjeruar gjithashtu se nuk do të mbështesë financime të mëtejshme nga buxheti i BE-së për Kievin, nëse Parisi do të ngarkohej me detyrime financiare.
Ajo tha se trajnimi ushtarak dhe dërgimi i armëve mund të vazhdojnë. Megjithatë, Le Pen kundërshton dislokimin e trupave franceze në Ukrainë pas një armëpushimi, në kuadër të Koalicionit të të Gatshmëve, të përbërë nga 35 vende, të cilin Franca e bashkëdrejton me Mbretërinë e Bashkuar.
Kur presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e ftoi atë në Kiev këtë muaj, për ta bindur të rishqyrtonte qëndrimin e saj, ajo refuzoi, duke u takuar në vend të kësaj me ambasadorin e vendit në Paris.
Megjithëse Le Pen e dënoi shpejt pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, ajo kishte qenë prej kohësh një admiruese e presidentit rus Vladimir Putin dhe dëshironte lidhje më të ngushta me Moskën. Në vitin 2014, ajo iu drejtua një banke ruse për të financuar fushatën e saj, pasi bankat franceze refuzuan t’i jepnin kredi. Ajo kundërshton sanksionet e BE-së kundër Rusisë.
Kritikët e saj thonë se ndërprerja e ndihmës për Ukrainën do të ishte e barasvlershme me mbajtjen e anës së Kremlinit. Kjo ka të ngjarë të krijojë gjithashtu një përçarje me vendet që i shohin interesat e tyre të sigurisë të lidhura ngushtë me shndërrimin e Ukrainës në një shtet të fortë dhe të pavarur.
Në prag të zgjedhjeve franceze të vitit të ardhshëm, kancelari gjerman Friedrich Merz ka kërcënuar se do të bllokojë buxhetin e BE-së, nëse të 27 anëtarët nuk angazhohen për financim afatgjatë të Ukrainës.
“Për Evropën, kjo çështje ka një dimension ekzistencial”, thotë Norbert Röttgen, deputet i lartë dhe ekspert i politikës së jashtme në radhët e kristiandemokratëve të Merz-it.
“Tërheqja e solidaritetit për çështjet e luftës dhe paqes do të vinte në mënyrë të pashmangshme në pikëpyetje integrimin dhe solidaritetin evropian edhe në fusha të tjera të politikave”, shton ai. “Nuk mund t’i kthesh shpinën Evropës kur bëhet fjalë për paqen dhe sigurinë, ndërkohë që njëkohësisht këmbëngul te përfitimet e një tregu të përbashkët bujqësor evropian.”
Një presidencë e Le Pen do të ishte e vështirë për Gjermaninë, partneriteti i së cilës me Francën ka qenë motori i integrimit evropian gjatë 70 viteve të fundit, edhe pse kohët e fundit ky proces ka ecur me vështirësi.
Le Pen provokoi Berlinin këtë javë, duke deklaruar se “Evropa e Kombeve” e saj do të zëvendësonte atë që ajo e quajti “Evropa gjermane”, e dominuar nga interesat e Berlinit.
“Pa dyshim, marrëdhënia franko-gjermane nuk zë një vend të veçantë në zemrën e saj”, thotë një zyrtar qeveritar në Berlin, duke vënë në dukje se Le Pen e ka cilësuar traktatin e Aachen-it të vitit 2019 mes dy vendeve si “një tradhti”, pasi ai parashikon bashkëpunim më të ngushtë në ekonomi, mbrojtje dhe politikë të jashtme.
Ajo që shqetëson më shumë Berlinin dhe kryeqytetet e tjera është rreziku i përhapjes së krizës financiare, i shkaktuar nga një Le Pen sfiduese.
“Do të jetë një katastrofë për ta, do të jetë një katastrofë edhe për të tjerët, sepse do të ishte si një virus”, thotë Enrico Letta, ish-kryeministër i Italisë.
Për të qetësuar investitorët, Le Pen është angazhuar të realizojë kursime prej 140 miliardë eurosh deri në vitin 2032, kryesisht përmes shkurtimit të shpenzimeve dhe kufizimeve të borxhit të sanksionuara në kushtetutë. Por ekonomistët kanë vënë në pikëpyetje realizueshmërinë e kursimeve të propozuara.
Ndërsa zgjedhjet afrohen, mund të ketë një tjetër valë shitjesh të obligacioneve franceze. Për momentin, mundësia që Banka Qendrore Evropiane (BQE) të ndërhyjë për të mbështetur Francën po ndihmon në mbajtjen nën kontroll të yield-eve 10-vjeçare dhe, rrjedhimisht, të kostos së kapitalit për vendin, thonë analistët. Por, që banka të ndërhyjë, Franca duhet të respektojë kufijtë e deficitit të BE-së, të cilët aktualisht janë shumë larg mundësive të saj. Një Le Pen konfrontuese mund të mos përfitojë nga mbështetja bujare e BQE-së dhe e shteteve të tjera anëtare.
Letta bën një paralele me vitin 2011, kur Silvio Berlusconi u shkarkua nga posti i kryeministrit italian, pasi tregjet dhe liderët e BE-së humbën besimin në aftësinë e tij për të frenuar deficitin. Meloni ishte një ministre e nivelit të ulët në qeverinë e Berlusconit dhe dëshmoi rrëzimin e tij poshtërues.
“Franca nuk i ka antitrupat që kanë, për shembull, Italia, Spanja, Greqia dhe Portugalia, për shkak të krizës së borxhit sovran. Asnjëri prej këtyre vendeve nuk do ta sfidojë ndonjëherë Brukselin për çështjen e buxhetit”, thotë Letta. “Nëse sfidon Brukselin, Brukseli dhe Frankfurti do të fitojnë dhe ti do të hysh në një spirale negative dhe në një territor të panjohur.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT