Autoriteti Kombëtar i Aviacionit Civil në Itali (ENAC) i ka kërkuar aeroportit të Malpensës në Milano të reduktojë numrin e fluturimeve gjatë periudhave me fluksin më të lartë të udhëtarëve në verë, veçanërisht në orët e para të mëngjesit. Qëllimi është shmangia e radhëve të gjata në kontrollet kufitare, të shkaktuara nga futja e sistemit të ri europian të regjistrimit biometrik (Entry/Exit System) për udhëtarët nga vendet jashtë BE-së.
Por drejtuesi i shoqatës së aeroporteve europiane i është drejtuar ministrit italian të Infrastrukturës dhe Transportit, Matteo Salvini, për t’i shprehur “shqetësimin më të thellë” dhe për t’i kërkuar rishikimin e vendimit. Jo vetëm sepse masa është e paprecedentë, por edhe sepse do të ketë pasoja për lidhjet ajrore të Milanos, Lombardisë dhe gjithë Italisë.
Kjo bëhet e ditur në një letër në italisht dhe anglisht, një kopje të së cilës e ka siguruar gazeta italiane “Corriere della Sera”, që drejtori i përgjithshëm i shoqatës së aeroporteve europiane (Airports Council International Europe – ACI Europe), Olivier Jankovec, i ka dërguar më 19 nëntor ministrit dhe zëvendëskryeministrit italian, Matteo Salvini.
Në letrën prej dy faqesh, që u është përcjellë edhe ministrit të Brendshëm, Matteo Piantedosi, dhe ministrit të Turizmit, Gianmarco Mazzi, Jankovec rendit një sërë problematikash që lidhen me vendimin e Autoritetit të Aviacionit Civil.
Pak orë pas publikimit të artikullit nga gazeta italiane, autoriteti njoftoi se kishte “pezulluar vendimin që parashikonte reduktimin e kapacitetit të aeroportit. Më 30 nëntor do të zhvillohet një takim në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit për të diskutuar çështjen me të gjitha subjektet publike dhe private që operojnë në aeroport”.
Në origjinë të problemit qëndron sistemi i ri i hyrje-daljeve, Entry/Exit System (EES), që regjistron të dhënat e shtetasve nga vendet jashtë BE-së gjatë hyrjes së tyre të parë në zonën Schengen pas futjes së sistemit. Ai parashikon marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe fotografimin e udhëtarëve. Sistemi nisi të zbatohej gradualisht në tetor të vitit 2025 dhe u bë plotësisht funksional më 10 prill 2026. Qëllimi është forcimi i sigurisë dhe identifikimi i personave që tejkalojnë afatin e lejuar të qëndrimit në zonën Schengen.
Pavarësisht viteve të testimeve dhe përgatitjeve, problemet u shfaqën menjëherë. Regjistrimi i detyrueshëm i të dhënave biometrike gjatë kalimit të parë të kufirit ka shkaktuar radhë jashtëzakonisht të gjata, me pritje deri në gjashtë orë, ndonëse sistemi u krijua për të përshpejtuar kontrollet. Që përpara zbatimit të tij të plotë, ishin ngritur shqetësime se aeroportet nuk kishin kapacitetet e nevojshme për të përballuar fluksin e pasagjerëve nga vendet jashtë BE-së që duhet t’u nënshtroheshin këtyre procedurave.
Qindra pasagjerë, të bllokuar në pikat e kontrollit kufitar, kanë humbur fluturimet. Brukseli e ka mbrojtur sistemin, duke theksuar përfitimet në aspektin e sigurisë dhe duke u kërkuar shteteve anëtare të bëjnë pjesën e tyre. Megjithatë, ka pranuar edhe përmasat e problemit, duke lejuar lehtësimin e përkohshëm të kontrolleve deri më 6 shtator, për të mbuluar periudhën me fluksin më të lartë të udhëtarëve. Pas përfundimit të këtij afati, radhët e gjata u rikthyen menjëherë, edhe në Malpensa.
Në mesin e tetorit, drejtoria rajonale e Lombardisë e Autoritetit Kombëtar të Aviacionit Civil, në një letër, fliste për “vështirësi të mëdha, veçanërisht për shkak të kohës së nevojshme për kryerjen e kontrolleve të pasagjerëve që udhëtojnë drejt ose nga vendet jashtë zonës Schengen, të shkaktuara edhe nga zbatimi gradual i sistemit të kontrollit Entry/Exit System”.
Në dokument thuhej gjithashtu se “vështirësi të ngjashme janë regjistruar edhe për sa i përket kohës së pritjes së pasagjerëve për kontrollet e sigurisë”.
Për këtë arsye, “edhe me qëllim që pasagjerëve që mbërrijnë dhe nisen nga aeroporti i Malpensës t’u garantohet një udhëtim i sigurt dhe i rehatshëm”, Autoriteti i Aviacionit Civil vendosi të përcaktonte kufij të rinj për numrin e pasagjerëve që aeroporti mund të përballojë në një orë gjatë sezonit veror të vitit 2027, nga fundi i marsit deri në fund të tetorit.
Në Terminalin 2, ku operon vetëm kompania ajrore easyJet, kapaciteti do të mbetej i pandryshuar, në 2.500 pasagjerë në orë, ndërsa në Terminalin 1 numri maksimal i pasagjerëve në nisje do të ulej nga 4.300 në 4.100 në orë.
“Kapaciteti prej 4.100 pasagjerësh në orë kushtëzohet nga zgjerimi me të paktën 200 metra katrorë i hapësirave ku pasagjerët presin në radhë për të kaluar kontrollet e sigurisë”, thuhet në dokumentet e Assoclearance, organizatës që administron në Itali oraret e autorizuara për ngritjen dhe uljen e avionëve në aeroporte. “Zgjerimi i kërkuar duhet të përfundojë deri në maj të vitit 2027”.
Sipas përllogaritjeve, ky kufizim do të nënkuptonte një fluturim më pak çdo 60 minuta. Por reduktimi do të prekte një fashë orare veçanërisht të rëndësishme për aeroportin e Malpensës, siç thekson Jankovec në letrën e tij.
“Kufizimi do ta bëjë të pamundur realizimin e një sërë fluturimesh që kompanitë ajrore kanë planifikuar tashmë për verën e ardhshme”, paralajmëron drejtori i përgjithshëm i ACI Europe.
“Duke qenë se ky kufizim prek veçanërisht orët e para të mëngjesit, gjatë të cilave janë planifikuar mbërritjet e fluturimeve nga Amerika e Veriut dhe e Jugut, si dhe nga Lindja e Mesme dhe Azia, ai do të penalizojë kryesisht lidhjet ajrore ndërkontinentale, të cilat kanë një rëndësi të veçantë ekonomike, si për turizmin, ashtu edhe për shkëmbimet tregtare” shton ai
Problemi qëndron te mundësitë e kufizuara për ndryshimin e orareve të fluturimeve në distanca të gjata. Kompanitë ajrore që operojnë këto linja nuk mund t’i zhvendosin fluturimet në orare kur aeroporti ka më pak ngarkesë. Rentabiliteti i këtyre linjave varet nga mundësia e mbërritjes në orët e para të mëngjesit, çka u lejon kompanive të shfrytëzojnë sa më mirë avionët dhe të optimizojnë kohën ndërmjet fluturimeve.
Për më tepër, këto orare janë të favorshme për pasagjerët, pasi u mundësojnë të kapin fluturimet lidhëse, si në aeroportet nga ku nisen, ashtu edhe në ato ku mbërrijnë.
Për këtë arsye, paralajmërohet në letër, reduktimi i fluturimeve do të sillte një humbje “neto dhe të parikuperueshme” të trafikut ajror dhe të lidhjeve me destinacionet e tjera, me pasoja të rëndësishme ekonomike për turizmin dhe shkëmbimet tregtare.
Jankovec shpreh shqetësim edhe për dëmtimin e imazhit të Milanos dhe Italisë, pasi masa rrezikon të përcjellë një sinjal negativ për tërheqjen e tyre si destinacione të hapura ndaj biznesit. Kjo do të krijonte një klimë pasigurie, duke dobësuar aftësinë e kompanisë SEA, që administron aeroportet e Malpensës dhe Linates në Milano, për të tërhequr linja të reja ajrore dhe për të konkurruar me aeroportet e tjera europiane.
Shoqata e aeroporteve europiane nuk i mohon problemet e sistemit EES. Jankovec kujton se ka kërkuar disa herë ndërhyrje për korrigjimin e tyre, siç dëshmon edhe një letër që i ka dërguar muajin e kaluar komisionerit europian për Çështjet e Brendshme, Magnus Brunner, dhe që i është bashkëngjitur letrës drejtuar Salvinit.
Sistemi, thekson ai, ka forcuar mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian dhe sigurinë, por deri më tani nuk ka arritur t’i bëjë më efikase procedurat e kontrollit kufitar.
Kohët e gjata të pritjes, nënvizon drejtori i përgjithshëm i ACI Europe, nuk janë një problem që prek vetëm Malpensën, por shumicën e aeroporteve të mëdha europiane. Mes tyre përmenden aeroporti Charles de Gaulle në Paris, si dhe aeroportet e Amsterdamit, Frankfurtit, Mynihut, Athinës dhe Lisbonës.
“Megjithatë, Malpensa është i vetmi aeroport ndaj të cilit është vendosur një kufizim i kapacitetit”, thekson Jankovec.
Për shoqatën e aeroporteve europiane, zgjidhja e problemeve të sistemit të ri të kontrolleve kufitare nuk mund të jetë reduktimi i numrit të pasagjerëve dhe fluturimeve në aeroporte. Është sistemi që duhet t’u përshtatet kushteve të funksionimit dhe infrastrukturës së transportit ajror, dhe jo e kundërta. Jankovec kërkon ndryshime strukturore dhe praktike që të mos cenojnë objektivat e sigurisë.
Prioriteti i shoqatës është që edhe gjatë vitit 2027 dhe në vitet pasuese të lejohet pezullimi i përkohshëm i regjistrimit të të dhënave biometrike të udhëtarëve, pra marrja e shenjave të gishtërinjve dhe fotografimi i tyre, sa herë që koha e pritjes në kontrollet kufitare bëhet tepër e gjatë. Kjo mundësi, sipas shoqatës, duhet të kthehet në një mekanizëm të përhershëm për menaxhimin e fluksit të udhëtarëve.
Sipas ACI Europe, një zgjidhje e tillë do të shmangte kufizimin e fluturimeve në Malpensa dhe do të lehtësonte situatën në të gjitha aeroportet europiane që përballen me të njëjtin problem.
Për këtë arsye, Jankovec i kërkon Salvinit të ndërhyjë për rishikimin e vendimit për kufizimin e kapacitetit të aeroportit të Malpensës gjatë verës së vitit 2027, si dhe për zgjatjen e mundësisë së pezullimit të regjistrimit biometrik, në mbrojtje të lidhjeve ajrore dhe interesave ekonomike të Milanos, Lombardisë dhe Italisë./CorrieredellaSera