Në kuadër të festimeve të 28 Nëntorit, në Vlorë është nënshkruar këtë të premte marrëveshja e binjakëzimit dhe bashkëpunimit mes Bashkisë Vlorë dhe Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Lajmin e ka bërë të ditur ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, i cili ka vlerësuar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për forcimin e lidhjeve mes dy qyteteve. Ambasadori Malaj ka shprehur mirënjohjen për kryetaren e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, dhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, për mbështetjen dhe vullnetin e treguar në konkretizimin e kësaj nisme.
Nisma është ideuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vizitës së ambasadorit Malaj në gusht të këtij viti. Sipas ambasadorit, binjakëzimi krijon mundësi të reja për shkëmbime kulturore, arsimore, ekonomike dhe institucionale, si dhe për realizimin e projekteve konkrete në shërbim të qytetarëve të të dyja njësive vendore.
Postimi i plotë
Vlora dhe Mitrovica e Jugut, më pranë përmes bashkëpunimit! Në kuadër të festimeve për Festën e Flamurit, pikërisht në Vlorë, qytetin simbol të Pavarësisë së Shqipërisë, u nënshkrua sot marrëveshja e binjakëzimit dhe bashkëpunimit mes Bashkisë Vlorë dhe Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Në këtë ceremoni, shpreha mirënjohjen për të dy kryetarët e njësive vendore, znj. Brunilda Mersini dhe z. Faton Peci, për mbështetjen dhe vullnetin e treguar për konkretizimin e kësaj nisme, të ideuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vizitës sime në gusht të këtij viti.
Ky binjakëzim është më shumë se një marrëveshje bashkëpunimi. Ai krijon mundësi të reja për shkëmbime kulturore, arsimore, ekonomike dhe institucionale, si dhe për projekte konkrete në shërbim të qytetarëve të të dyja komunave.
Historia dhe lidhjet tona të përbashkëta janë një themel i fortë, por është bashkëpunimi konkret ai që i jep kuptim së ardhmes. Le ta kthejmë këtë marrëveshje në një urë të qëndrueshme bashkëpunimi dhe në një tjetër hap drejt së ardhmes sonë të përbashkët evropiane. Bashkëpunimi na afron, e ardhmja evropiane na bashkon!