Një auditim i brendshëm i Postës Shqiptare dhe pamjet e kamerave të sigurisë kanë zbardhur një seri veprimesh të dyshimta në Filialin e Postës së Durrësit, ku sipas gjetjeve të auditimit mungojnë 69 milionë lekë të rinj.
Në emisionin “Në Shënjestër”, të gazetares Klodiana Lala, u trajtua skandali i dyshuar i përvetësimit të fondeve në Postën e Durrësit, mënyra se si u zbulua mungesa e parave dhe roli i personave që shfaqen në auditimin e institucionit.
Në qendër të dyshimeve janë ish-drejtoresha Elisabeta Mataj, shefja e Financës Valbona Duni dhe specialistja Paola Dana. Sipas dokumentacionit të përfshirë në dosje, mandatpagesat për degët e Shijakut dhe Krujës përgatiteshin, ndërsa paratë nuk rezultonin të depozituara në arkat përkatëse. Pamjet filmike evidentojnë lëvizje të përsëritura të thasëve me para dhe largimin e punonjëseve nga ambientet e filialit.
Pjesë nga dokumentari:
Një ngjarje e cila po merr përmasa të paimagjinueshme. Gati të pamendueshme, edhe kur ajo u përfol si një aferë korruptive. Por që tashmë është bërë më e madhe sesa vetë Filiali i Postës së Durrësit nga ku nisi dhe tanimë ka përfunduar në duart e SPAK, që ka dyshimet se nuk kemi të bëjmë me vjedhjen e një personi, por me një grup të strukturuar kriminal, që mbërrin deri në Kuvendin e Shqipërisë.
Një grup kriminal që duket se ka vepruar për një kohë të gjatë brenda filialit të Postës, duke vjedhur milliona, para që me gjasë janë përdorur edhe për të blerë edhe mandate deputetesh.
Etleva Budini, deputetja socialiste e qarkut Durrës, është një prej personave të veshur me imunitet, që po kalon në filtrin e SPAK.
Për shkak të funksionit që ka patur më herët si drejtoreshë e Postës Durrës, ku gjatë kohës së saj, auditi ka konstatuar shkelje të rënda dhe zhvatje parash.
Një skemë e sofistikuar që do të ishte e denjë për një film hollivudian, ku dyshohet se zyrtarët e postës vidhnin përqindje nga pagesat që kryheshin në postë për institucionet e treta, mes të tjerash edhe Kadastra apo pagesat që lidhen me bonusin e qirasë për të dëmtuarit nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019 që shkaktoi 51 viktima.
Kjo është vetë historia e Postës së Durrësit dhe ish-drejtueses së këtij filiali Elisabeta Mataj.
E cila që nga muaji korrik i këtij u vu në hetim nga Prokuroria e Durrësit për abuzime me detyrën që lidhen me fondet e filialit të Postës që drejtonte.
Një hetim që nisi pas një kallëzimi të ardhur nga vetë Drejtoria e Përgjithshme e Postës Shqiptare, e cila pa të mungonin në inventarin e saj, shumë të mëdha parash të cilat nuk po arkëtoheshin nga Drejtoria e Postës Durrës, e cila mbulonte njëkohësisht edhe ato të Shijakut dhe Krujës.
Hetim që do të shërbente për zbulimin e një skandali me përmasa më të mëdha dhe abuzime në vlera marramendëse.
Kallëzimi i drejtohej Prokurorisë së Durrëst, ku i kërkohej nisja e një hetimi ndaj Filialit të Postës Durrës, kjo pasi ky i fundit, nuk kishte vijuar me kalimin e fondeve në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Postës Shqiptare.
Gjë që kishte krijuar deficite në llogaritë kontabël të Postës Qëndrore.
Drejtori që në fakt përpara se të depozitonte këtë kallëzim, kishte kryer edhe vetë një audit brenda Filialit të Postës së Durrësit.
Kjo nisur edhe nga dyshimet që kishte në lidhje me mbarëvajtjen financiare të këtij filiali në varësi.
Dyshime të cilat shpejt rezultuan jo vetëm në abuzime me detyrën, por me titullarë dhe funksionarë të rëndësishëm të institucionit, të cilët fusin duart në thasët e parave të caktuara për pensionistët dhe ndihmën sociale dhe marrin nga aty shuma të mëdha monetare, të cilat edhe sot nuk u dihet destinacioni.
Kallëzimi në Prokurori
Më datë 14 Korrik 2026, subjekti ‘Posta Shqiptare’ ka depozituar pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, një kallëzim ku parashtrohet fakti se Filiali i Postës Shqiptare Durrës nuk ka vijuar me kalimin e fondeve në favor të llogarisë së Drejtorisë së Përgjithshme, duke rezultuar në diferenca negative në llogaritë kontabël të Drejtorisë së Përgjithshme të Postës Shqiptare Sh.a..
Por siç thamë për të argumentuar këto gjetje në kallëzimin e saj drejtuar Prokurorisë së Rrethit Durrës, Drejtoria e Përgjithshme e Postës Shqiptare, kishte ngritur fillimisht edhe vetë një grup auditimi.
Grup i cili kishte zbarkuar në filialin e Postës Durrës në muajt prill dhe maj të vitit 2026.
Aty ku fillimisht u konstatua se ndërsa Filiali i Postës Durrës priste mandat pagesa për simotrat më të vogla, në fakt këto para nuk kishin shkuar në llogarinë e këtyre drejtorive postare.
Nga kontrolli në ambientet e filialit të Postës Durrës, grupi i punës i ngritur nga Drejtoria e Përgjithshme e Postës Shqiptare, konstatoi se nga verifikimi i gjëndjes së arkës u konstatua se gjatë muajve Prill-Maj 2026 janë prerë mandat pagesa nga arka qendër në monedhën lekë, për llogari të Degës Postare Shijak dhe Krujë. Mandate që janë të përfshira në të dhënat e sistemit në ditarin e arkës qendër të Filialit Durrës, duke pakësuar kështu gjendjen fizike të arkës në lekë.
Këtu ku del fillimisht edhe sasia e parave që mungonin në arkën e Filialit të Postës së Durrësit.
Shumë e munguar që sipas auditimit, rezulton të jetë 690 milion lekë të vjetra, ose rreth 700 mijë euro.
Para të cilat duhet të bëheshin hyrje në arkat e postave të qyteteve Shijak dhe Krujë.
Por që në fakt nuk ishin bërë dhe nuk dihet se ku kishin përfunduar.
Vlera e këtyre mandateve që duhej të bëhej hyrje në arkën në lekë të Degës Postare Shijak dhe Krujë duke shtuar kështu gjendjen fizike të parasë në këto degë, nga verifikimi në sistem të ditarit analitik të këtyre arkave, rezulton që këto vlera nuk janë bërë hyrje në arkat e degëve përkatëse, veprim i cili e bën të pa justifikuar daljen nga arka qendër të Filialit Durrës të vlerës rreth 69 000 000 lekë.
Pra nga sa shikohet paratë kishin dalë nga Posta Durrës në drejtim të arkave të postave Shijak dhe Krujë por nuk dihet se ku kishin përfunduar.
Po ku kishin përfunduar këto para dhe cila ishte mënyra se si ato ishin zhdukur?
Kush ishin personat përgjegjës, që kishin futur duart në këtë aferë?
Dhe a mund të ishte kaq e thjeshtë të zhdukje një sasi të tillë parash pa dijeninë e titullarëve?
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, Drejtoria e Postës Shqiptare nuk u mjaftua vetëm me një audit financiar në lidhje me atë që kishte ndodhur në Filialin e Postës Durrës.
Por mori parasysh edhe hapjen e kamerave të sigurisë brenda këtij filiali.
Aty ku vihet re se punonjëset e këtij filiali, jo vetëm i lëvizin vlerat monetare në kundërshtim të plotë me ligjin, por në mënyrë të habitshme në sy të kamerave të sigurisë fusin duart në thasë dhe marrin nga aty shuma parash të cilët si të ishin në një mall pa zot, i nxjerrin jashtë godinës.
Referuar pamjeve filmike të administruara nga kamerat e sigurisë në ambjentet e Filialit Durrës qendër, rezulton se nga ana e punonjëseve të postës lëvizjet e vlerave monetare janë kryer në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi dhe të rregullores së brendshme të Posta Shqiptare Sh.a.
Por çfarë përmbajnë këto filmime?
Kush janë personat që shfaqen në këto pamje?
Cila është lidhja e Elisabeta Mataj me shefen e Financës Valbona Duni dhe personat e tjerë që dalin të përfshirë në këtë aferë.
Më datë 2 Prill 2026 në orën 15:28 shefja e Financës Valbona Duni bashkë me specialistin e financës marrin në arkë, në prani të Paola Dana, një thes me vlera monetare i porsaardhur me eskortë shoqërimi nga banka.
Ku ajo që vihet re është se Specialisti i financës bashkë me thesin, i shoqëruar nga shefja e Financës Valbona Duni shkojnë në zyrën e saj.
Dhe më tej pas pak shefja e Financës Valbona Duni këtë thes me vlera monetare e çon në zyrën e drejtoreshës së Filialit, Elisabeta Mataj.
Kjo e fundit e cila në orën 15.39, largohet nga zyra e saj me një qese të bardhë transparente me sende që nuk përcaktohen.
Por edhe pse grupi hetimor nuk mundi të dallojë se çfarë kishte në qesen transparente me të cilën drejtoresha e Postës Durrës, del nga zyra, verifikimet e mëtejshme arritën në përfundimin se në këtë ditë Elisabeta Mataj kishte firmosur një mandat pagese në vlerën 5 milionë lekë për degën e postës Shijak.
Por paratë nuk ishin derdhur në llogarinë e kësaj poste.
Datës 2 Prill 2026 i përket mandat pagesa nr. 2330, vlera 5 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme dega Shijak, e nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe F. N (arkëtare e degës Shijak e dyshuar e falsifikuar).
Por kjo mesa duket nuk është shuma e vetme që ky grup brenda Postës Durrës, ka mundur të përfitojë me anë të kësaj mënyre, duke futur duart në thasët me para.
Pasi në mënyrë periodike kjo ndodh vazhdimisht në muajin prill dhe maj të vitit 2026.
Ku nga ajo që vihet është se kemi të bëjmë me të njëjtën zyrtarë që kryejnë këto veprime.
Konkretisht Elisabeta Mataj, drejtoreshë në këtë moment e Filialit të Postës Durrës.
Valbona Duni shefe e Financës, dhe Paola Dana, specialiste në këtë filial.
Ku nga verifikimet rezulton ose ka dyshime se ky grup në të gjitha rastet e gjetura në shkelje, ka falsifikuar edhe firmën e arkëtareve të degëve të Postës, Shijak dhe Krujë.
Më datë 14 Prill 2026 në orën 13:06 shefja e Financës Valbona Duni merr një thes me vlera monetare nga zyra e Arkës, ku e pranishme në këtë moment është edhe Paola Dana.
Valbona Duni e cila më pas futet në zyrën e saj.
Në lidhje me këtë datë, nga verifikimet e kryera përkon mandat pagesa nr. 2706, vlera 10 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme dega Krujë, e nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe V. G (arkëtare e degës Krujë e dyshuar e falsifikuar).
Një tjetër rast i rëndë është edhe ai i evidentuar një ditë më pas, pra më datë 15 Prill 2026.
Ku kamerat e sigurisë kapin këtë herë shefen e Financës, Valbona Duni, teksa del nga Filiali i Postës Durrës me një çantë dore.
Por edhe në këtë rast verifikimet zbulojnë falsifikimin e radhës së firmës së arkëtares së postës Krujë, V. G.
Firmë që ashtu si në rastet e tjera të ngjashme mendohet se është falsifikuar nga i njëjti grup brenda Postës Durrës, i drejtuar nga drejtoresha Elisabeta Mataj.
Ndërkohë që skema e futjes së duarve në thasët me para, nëpërmjet grabitjes, është e njëjta.
Në fillim priten mandat pagesat për degët e postave Shijak dhe Krujë, më pas falsifikohen firmat e arkëtareve të këtyre degëve, dhe më tej shumat që duhet t’u kalonin këtyre filialeve, tërhiqen nga thasët në Postën Durrës dhe dalin nga aty jashtë zyrave, pa u ditur destinacioni.
Ashtu si në rastin e mëposhtëm.
Më datë 15 Prill 2026 në orën 14:13 shefja e Financës Valbona Duni merr një thes me lekë nga arka, ku e pranishme është Paola Dana.
Dhe pasi merr këtë thes me para hyn në zyrën e saj.
22 minuta më pas shefja e Financës del nga zyra e saj me një çantë dore dhe largohet nga ambientet e punës.
Në lidhje me këtë datë korespondon mandat pagesa nr. 2748, vlera 10 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme dega Krujë, e nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe V. G (arkëtare e degës Krujë e dyshuar e falsifikuar).
Pra është e qartë se shefja e financës, Valbona Duni nuk vepron e vetme.
Por në dijeni të këtij mekanizmi të zhvatjes së parave është edhe drejtoresha e filialit të Postës Durrës, Elisabeta Mataj.
E cila edhe kur nuk është vetë duke marrë para nga thasët, është në dijeni nëpërmjet firmës së saj, në lidhje me veprimet e kundraligjshme që po bën vartësja e saj, shefja e Financës, Valbona Duni.
Ndërkohë që në një rast tjetër po kaq flagrant, këtë herë është specialistja e arkës, Paola Dana e cila vihet re teksa i jep shefes së Financës Valbona Duni, fasheta me prerje 5 mijë lekë të reja.
Ku edhe në këtë ditë rezulton se janë prerë mandate pagese në vlerën 5 milion lekë të reja, për llogari të degës së Postës Shijak.
Që edhe këto rezultojnë se nuk janë derdhur në llogarinë e kësaj poste, edhe pse ka një firmë sikur arkëtarja e kësaj dege i ka tërhequr paratë.
Por edhe këtu dyshimet janë se firma e arkëtares së postës Shijak është falsifikuar.
Më datë 20 Prill 2026 në orën 13:39 nd/arkëtarja në prani të arkëtares Paola Dana, i jep shefes së Financës Valbona Duni rreth 10 fasheta me prerje kartmonedhe 5 000 të reja në qese plastike.
Shefja e Financës e cila pasi merr këto para shkon në zyrën e saj.
Në lidhje me datën 20 Prill 2026, nga verifikimet e kryera i përket mandat pagesa nr. 2866, vlera 5 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme dega Shijak, e nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe F. N (arkëtare e degës Shijak e dyshuar e falsifikuar).
E njëjta gjë ka ndodhur edhe katër ditë më pas, ku ndërsa punonjësi i shoqërimit të vlerave monetare lë dy thasë më para në arkën e Filialit të Postës së Durrësit, njërin nga këto thasë rezulton se e merr shefja e Financës, Valbona Duni.
E cila më pas e çon në zyrën e saj.
Ku edhe lidhur mbi këtë rast rezulton se është prerë një mandat pagese në vlerën 5 milionë lekë, për llogari të degës Shijak, por që rezulton se nuk është derdhur në këtë postë.
Por nga sa mendohet këto para janë përvetësuar nga grupi i drejtuar nga drejtoresha e Postës Durrës, Elisabeta Mataj, në bashkëpunim me shefen e Financës, Vabona Duni dhe specialisten Paola Dana.
Të cilët kanë vazhduar të falsifikojnë firmat e arkëtareve të degëve Shijak dhe Krujë.
Gjë të cilën kanë vazhduar ta bëjnë më datë 30 Prill, ku mungojnë 11 milionë lekë të rinj.
Apo më datë 7 Maj, ku këtë herë rishfaqet vetë Elisabeta Mataj, duke futur duart në thasët me para.
Më datë 7 Maj 2026, në orën 14:41 shefja e Financës Valbona Duni merr një thes me lekë nga Arka, ku e pranishme është Paola Dana, dhe më pas hyn në zyrën e saj.
Valbona Duni e cila një minutë më pas me të njëjtin thes hyn në zyrën e drejtoreshës Elisabeta Mataj.
Dhe më tej pa kaluar shumë kohë, të dyja dalin nga zyra.
Datë të cilës i korespondon mandat pagesa nr. 4283/6, vlera 5 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme dega Shijak, e nënshkruar vetëm nga Paola Dana.
Ndërkohë që një ditë më pas shefja e Financës Valbona Duni merr një pako të madhe me kartmonedha prerje 5 000 të reja nga arka, ku e pranishme është Paola Dana dhe shkon në zyrën e saj.
Datë në të cilën përkon mandat pagesa nr. 4320, vlera 5 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme dega Shijak, e nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe F. N (arkëtare e degës Shijak e dyshuar e falsifikuar).
Kjo vjedhje e hapur duket se ka vazhduar deri më datë 29 Maj 2026.
Të paktën kjo e verifikuar nga kamerat e sigurisë.
Ku gjatë kësaj kohe janë shënuar edhe tri episode të tjera, ku Elisabeta Mataj në cilësinë e drejtoreshës së Postës Shqiptare dhe bashkëpunëtoret e saj, shefja e Financës Valbona Duni dhe specialistja Paola Dana, vihen re teksa marrin para nga thasët.
Shumë monetare e cila në fund, sipas përllogaritjeve fillestare të grupi hetimor, kap vlerën e 69 000 000 lekëve të rinj.
E pyetur në lidhje me përfshirjen e saj në këtë skandal të përmasave të tilla, shefja e Financave, ia hodhi të gjithë fajin drejtoreshës Elisabeta Mataj.
E cila sipas saj, i merrte paratë nga thesi dhe i fuste në çantën e saj personale.
Ndërsa shefja e Financës u justifikua se ajo i ishte bindur gjithmonë urdhërit verbal të drejtoreshës.
Ndërkohë që sipas rregullores për menaxhimin e vlerave monetare dhe rregullores së sigurisë të Postës Shqiptare, menaxhimin e vlerave monetare fizike e kryen vetëm arkëtarja.
