Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, është vlerësuar me Medaljen “Shërbim i Shquar” nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Medalja i është ndarë në shenjë vlerësimi për shërbimin dhe kontributin e tij në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Forcës.
Lajmin e bëri të ditur vetë Maqedonci përmes një postimi në Facebook, ku ka vlerësuar rrugëtimin dhe karrierën ushtarake të Jasharit. Në postim, ministri ka kujtuar edhe pjesëmarrjen e Jasharit në luftimet e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz. Sipas tij, Jashari ishte ndër të mbijetuarit e familjes Jashari dhe luftoi përkrah Adem dhe Hamëz Jasharit.
Pas luftës, Jashari vazhdoi shërbimin në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, ndërsa me themelimin e FSK-së shërbeu si Inspektor i Përgjithshëm. Në nëntor të vitit 2021, ai u emërua Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Maqedonci ka theksuar se gjatë pesë viteve në këtë detyrë, gjenerallejtënant Jashari udhëhoqi procese me rëndësi historike për transformimin dhe fuqizimin e FSK-së.
Sipas ministrit, ai dha kontribut edhe për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të forcës dhe për ndërveprueshmërinë me forcat e vendeve aleate. “Me punën dhe përkushtimin e tij, ai dha kontribut të çmuar edhe në thellimin e marrëdhënieve të Kosovës me partnerët në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Maqedonci. Në fund të postimit, ministri i Mbrojtjes e ka falënderuar Jasharin për bashkëpunimin dhe shërbimin e tij ndaj Kosovës.