Sali Berisha u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të bashkohen në protesta kundër qeverisë së Edi Ramës, duke deklaruar se opozita duhet të vijojë qëndresën deri në largimin e kryeministrit.
Gjatë një takimi me demokratët në Kamëz, Berisha u ndal te protestat e paralajmëruara për fundjavën, duke thënë se Rama nuk njeh gjuhë tjetër përveç protestës. Ai kërkoi mobilizimin e opozitës, ndërsa pranoi se mbështetësit demokratë janë të lodhur pas viteve të gjata në opozitë.
Kreu i demokratëve vlerësoi edhe qytetarët që protestojnë çdo ditë, duke i cilësuar tubimet e tyre si një thirrje për mobilizimin e opozitës.
“Ka qytetarë, ka djem dhe vajza që protestojnë çdo ditë. Të bekuar janë në protestën e tyre, por ajo protestë është një kushtrim i madh për opozitën. Opozita është jo sa janë ata sot në shesh, por është 100, 200, 300 herë më e madhe se aq. Prandaj ajo duhet të tregohet. Prandaj ajo duhet të bashkohet me bindjen që nuk do i ndahet me protesta gjer në largimin e Edi Ramës”, tha kreu i PD.