Reshjet e shiut me intensitet mesatar, të regjistruara gjatë natës në territorin e Qarkut Shkodër, nuk kanë shkaktuar problematika të raportuara në pesë bashkitë e qarkut.
Sipas të dhënave nga Prefektura e Qarkut Shkodër, situata paraqitet e qëndrueshme, ndërsa nivelet e ujit në lumenj dhe kanale vijojnë të jenë nën kuotat e rrezikut.
Edhe në veprat ujore nuk janë evidentuar problematika.
Ndërkohë, në akset rrugore Koplik-Razëm, Dedaj-Razëm dhe Bogë-Theth, gjatë natës janë konstatuar rënie gurësh dhe depozitime materialesh inerte në trupin e rrugës.
Firmat kontraktore të mirëmbajtjes kanë ndërhyrë në terren, duke kryer pastrimin e tyre. Aktualisht, qarkullimi në të tria këto akse vijon normalisht.
Prefektura e Qarkut Shkodër bën me dije se monitorimi i situatës vijon në mënyrë të pandërprerë, në bashkëpunim me bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe ndërhyrjen në kohë në rast të problematikave të mundshme.










