Një video e veçantë nga Senati i Australisë është bërë virale në rrjetet sociale, duke tërhequr vëmendjen e publikut. Në pamje shfaqet senatorja Fatima Payman duke mbajtur në krahë vajzën e saj të vogël gjatë punimeve në Senat, ndërsa kolegia e saj, Lidia Thorpe, e cila ndodhet pas tyre, luan me foshnjën duke i bërë lojën e njohur “kukafshehthi”. Momenti i ëmbël ka rikthyer në vëmendje edhe historinë e veçantë të jetës së politikanes, e cila nga një emigrante e vogël afgane arriti të bëhej një prej senatoreve më të reja në historinë e Australisë.
Fatima Payman ka lindur në Kabul të Afganistanit. Kur ajo ishte vetëm katër vjeçe, babai i saj u largua nga vendi me një varkë, duke mbërritur në Australi në kërkim të një jete më të sigurt. Atje ai punoi në profesione të ndryshme, si punonjës sigurie, në kuzhina dhe si shofer taksie, derisa arriti të siguronte të ardhurat e nevojshme për të sjellë edhe pjesën tjetër të familjes. Katër vite më vonë, kur Fatima ishte tetë vjeçe, familja u bashkua në Australi dhe nisi një jetë të re.
Në vendin e ri, Fatima ndoqi studimet për Farmaci dhe Antropologji Sociale. Më pas vendosi të ndiqte rrugën e gjyshit të saj, i cili kishte shërbyer si deputet në Afganistan, duke hyrë në politikë. Në vitin 2014 ajo u bë pjesë e Partisë Laburiste Australiane. Një nga motivet kryesore që e shtynë drejt angazhimit politik ishin përvojat e babait të saj, i cili kishte përjetuar shfrytëzim dhe abuzim në vendin e punës. Kjo e nxiti Payman të angazhohej për të drejtat e punonjësve dhe përfaqësimin e komuniteteve të ndryshme.
Në vitin 2022, ajo u bë anëtarja e pestë më e re në historinë e Senatit australian, fillimisht duke përfaqësuar Partinë Laburiste. Në 2024, qëndrimet e saj në mbështetje të Palestinës gjatë luftës dhe kërkesa për njohjen e shtetit palestinez sollën përplasje me partinë. Si pasojë, ajo u distancua nga laburistët dhe krijoi formacionin e saj politik, të quajtur “Australia’s Voice”. Po në vitin 2024, Fatima Payman u martua me Jacob Stokes, një figurë e Partisë Laburiste. Disa muaj më parë, çifti u bë prindër i një vajze.