Parlamenti italian miratoi ligjin e ri për arsimin, duke vendosur një kufi prej 30% për nxënësit e huaj që nuk zotërojnë gjuhën italiane dhe duke ndaluar burkat në shkolla
Parlamenti italian ka miratuar përfundimisht ligjin e ri për arsimin, i cili vendos kufizime për nxënësit e huaj dhe ndalon mbajtjen e burkave në shkolla. Sipas ligjit, çdo klasë mund të ketë deri në 30% nxënës të huaj që nuk zotërojnë mjaftueshëm gjuhën italiane, ndërsa prindërit e tyre do të duhet të mësojnë gjithashtu italisht.
Nisma e qeverisë së Giorgia Melonit mori 142 vota pro, 112 kundër dhe katër abstenime në Dhomën e Ulët. Paketa parashikon edhe masa për nxënësit me aftësi të kufizuara, luftën kundër bullizmit në internet dhe parandalimin e braktisjes së shkollës.
Një tjetër ndryshim është përgjysmimi i çmimit të librave shkollorë në format dixhital, një çështje që ka shkaktuar përplasje edhe brenda koalicionit qeverisës. Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, e mbrojti ligjin, duke thënë se ai synon të garantojë më shumë mundësi për nxënësit dhe të mbështesë familjet.
Por opozita e kundërshtoi ashpër nismën, duke argumentuar se arsimi ka nevojë për investime dhe jo për kufizime ndaj fëmijëve të huaj. Kreu i Partisë Demokratike, Elly Schlein, deklaroi se shkollat kanë nevojë për ndërtesa të sigurta, më shumë mësues dhe kushte më të mira mësimi, jo për masa që përjashtojnë nxënësit.
Ajo kërkoi gjithashtu më shumë klasa me orar të plotë dhe shërbime psikologjike për nxënësit. Debati vjen në një kohë kur shkollat italiane përballen me probleme të infrastrukturës dhe mungesë investimesh, ndërsa studentët kanë dalë në protesta për përmirësimin e kushteve










