Rama ndan pamjet nga Samiti i Planit të Rritjes: 48 orë të mbushura me Europë për Ballkanin Perëndimor
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga vizita dyditore në Tiranë e Komisioneres së Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, si dhe nga takimet dhe aktivitetet e zhvilluara në kuadër të Konferencës së Investimeve BE-Ballkani Perëndimor dhe Samitit për Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor.
Rama e ka cilësuar vizitën si “48 orë të mbushura me Europë për Ballkanin Perëndimor”, duke theksuar se Shqipëria do të përfitojë edhe 15% shtesë nga fondet e Planit të Rritjes, në bazë të mekanizmit të rishpërndarjes së fondeve që nuk arrijnë të përthithen nga vendet e tjera.
Rama ritheksoi gjithashtu objektivin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në vitin 2030, duke e cilësuar këtë si prioritetin kryesor të vendit.
“48 orë të mbushura me Europë për Ballkanin Perëndimor. Siç e konfirmoi edhe Komisionerja, Shqipëria do të marrë nga Plani i ri i Rritjes edhe 15% plus të shumës së saj, në bazë të kriterit të ndarjes së fondeve që nuk thithen dot nga vendet e tjera. Shqipëria hyri në sistemin europian të transaksioneve të parasë dhe pagesave dhe në 11 muaj janë përpunuar 788 mijë transaksione, me një vlerë prej 8.7 miliardë eurosh. Kursimet deri tani të shqiptarëve, falë hyrjes në këtë sistem, janë 20 milionë euro. Ndërkohë që potenciali është deri në 71 milionë euro në vit kursim nga xhepi i qytetarëve dhe bizneseve. 2030 ua kam thënë kur as Marta nuk e thoshte, është viti që duhet të kemi në mendje para çdo gjëje tjetër, sa herë merremi me politikë dhe gjërat e përbashkëta. 2030 në BE, të tjerat vijnë pas kësaj”, tha Rama.
Nga ana tjetër, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, bëri të ditur se Komisioni Evropian po përfundon vlerësimin e zbatimit të reformave nga Shqipëria. Sipas saj, vendi ka përmbushur 80% të reformave dhe pritet të përfitojë 185.6 milionë euro.
Kos theksoi se procesi i integrimit kërkon angazhim të përbashkët, si nga Shqipëria, ashtu edhe nga institucionet e Bashkimit Evropian, me synimin për ta çuar vendin drejt anëtarësimit të plotë.
“Komisioni Evropian po përfundon vlerësimin e vet. Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave dhe do të përfitojë 185.6 milionë euro. Udhërrëfyesit që ne kemi përgatitur janë një shenjë e qartë e besimit tonë për Shqipërinë, që ajo mund t’i arrijë rezultatet, por është edhe përgjegjësia jonë që të bëjmë punën tonë, sepse na duhet që të dyja anët të bëjnë punën e tyre. Sepse ditën që Shqipëria e mori statusin e vendit kandidat, është edhe përgjegjësia jonë dhe është mënyra jonë se si ne japim llogari, të ndihmojmë vendin që të bëhet shtet anëtar i BE-së”, tha Kos.
Sot në Tiranë u mbajt Samiti për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ku kryeministri Edi Rama priti Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, dhe liderët e vendeve të rajonit, mes tyre edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Në fokus të takimit ishte integrimi gradual i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, reformat dhe përfitimet nga Plani i Rritjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



