Qeveria do të përgatisë një ligj të posaçëm për faljen e 36 mijë faturave të energjisë elektrike, të cilat janë konstatuar si të padrejta.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili sqaroi se bëhet fjalë për detyrime të vendosura gjatë periudhës 2008-2013.
Sipas ministrit, problematika është evidentuar pas ankesave të qytetarëve të depozituara përmes platformës “Fol me Kryeministrin”.
Karakaçi deklaroi se pas verifikimeve janë konstatuar rreth 36 mijë fatura me gjoba të vendosura në mënyrë të padrejtë, për të cilat qeveria synon të miratojë një ligj të posaçëm për faljen e detyrimeve.
“Përmes platformës “Fol me Kryeministrin”, qytetarët kanë dërguar ankesa për gjoba të vendosura në faturat e energjisë elektrike gjatë periudhës 2008–2013. Janë rreth 36 mijë fatura të energjisë elektrike, të cilat u konstatuan që janë të padrejta. Për këtë qëllim do të miratojmë një ligj të posaçëm për faljen e këtyre detyrimeve.
Dëgjimi i qytetarëve, transparenca dhe zgjidhja e problematikave të tyre mbeten në qendër të angazhimit tone”, deklaroi Karakaçi.





