Dy shqiptarë janë dënuar me burg në Britaninë e Madhe, pasi u zbuluan duke kultivuar 705 bimë kanabisi në një ambient industrial në Northallerton, me një vlerë të përllogaritur në treg prej rreth 302 mijë paund.
Bëhet fjalë për Aldo Gjetën, 27 vjeç, dhe Emanuel Bushin, 28 vjeç, të cilët u arrestuan më 23 shtator, pas një operacioni policor në ambientin ku ishte ngritur ferma e kanabisit.
Gjatë ndërhyrjes, të dy tentuan të largoheshin, por u ndaluan nga policia. Më pas, ata pranuan akuzën për prodhim kanabisi në shkallë tregtare.
Gjykata dënoi Aldo Gjetën me 2 vite e 3 muaj burg, ndërsa Emanuel Bushin me 18 muaj burg. Për Gjetën, dënimi ishte më i rëndë për shkak se kishte një precedent të mëparshëm për të njëjtën vepër penale. Në prill të vitit 2025, ai ishte dënuar me 14 muaj burg për kultivim kanabisi.
Gjatë procesit gjyqësor, mbrojtja pretendoi se të dy shqiptarët ishin përfshirë në aktivitetin kriminal për shkak të borxheve dhe kërcënimeve nga organizata kriminale. Sipas avokatit të Bushit, ai dhe familja e tij në Shqipëri ishin kërcënuar, ndërsa 28-vjeçari kishte një borxh prej 22 mijë paundësh ndaj personave që e kishin ndihmuar të emigronte në Britani.
Gjykatësi Sean Morris e cilësoi aktivitetin si prodhim komercial të kanabisit, në përmasa industriale. Ai shprehu gjithashtu habinë që Gjeta nuk ishte deportuar pas dënimit të mëparshëm në vitin 2025.
Në përfundim të seancës, gjykatësi rekomandoi që të dy shqiptarët të merren nga autoritetet britanike pas përfundimit të dënimit në burgun e Hull dhe të nisin procedurat për deportimin e tyre nga Britania e Madhe.










Komente
Komento