Punonjësit operacionalë të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe drejtuesi i saj do të përfitojnë mbrojtje të posaçme në rast kërcënimesh lidhur me ushtrimin e detyrës, sipas një vendimi të miratuar këtë të premte nga qeveria. Vendimi, i propozuar nga ministri i Drejtësisë, përcakton kushtet dhe procedurat për garantimin e mbrojtjes kur për shkak të detyrës ekzistojnë rrethana serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e punonjësit dhe kur ka lidhje shkakësore midis kërcënimit dhe ushtrimit të detyrës.
Në pikën 4 të vendimit identifikohen tre mënyra kryesore të mbrojtjes së veçantë: ruajtja ose shoqërimi fizik i punonjësit të rrezikuar; ruajtja ose shoqërimi fizik i familjarëve të rrezikuar të punonjësit; dhe ruajtja e pronës së punonjësit. Për shqyrtimin e kërkesave do të ngrihet pranë Agjencisë Komisioni për Vlerësimin e Kërcënimeve, i përbërë nga pesë anëtarë.
Kërkesa për mbrojtje mund të paraqitet nga vetë punonjësi i kërcënuar, nga strukturat e Agjencisë, ose nga çdo organ tjetër publik që merr dijeni për rrezikun. Ajo duhet të përmbajë faktet dhe rrethanat që përbëjnë rrezik serioz, si dhe burimin e provave mbi të cilat mbështetet. Komisioni ka në dispozicion 10 ditë nga paraqitja e kërkesës për të vendosur për pranimin ose mospranimin e saj. Në rast miratimi përcaktohen masat konkrete të mbrojtjes, kohëzgjatja, strukturat përgjegjëse për zbatimin, shpenzimet dhe subjekti që do t’i përballojë ato.
Vendimi parashikon gjithashtu mundësinë e marrjes së masave pa pritur vendimin e komisionit kur rreziku është serioz dhe i menjëhershëm. Në pikën 14 përcaktohet se në raste të tilla drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë urdhëron strukturat përkatëse të marrin masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e jetës, të familjes dhe të pronës së punonjësit të kërcënuar. Mbrojtje parashikohet edhe për punonjësit që ushtrojnë detyrën larg vendbanimit dhe për familjarët e tyre. Në rast se kërcënohet drejtori i përgjithshëm, kërkesa për mbrojtje i paraqitet Ministrit të Drejtësisë, i cili urdhëron marrjen e masave.
