Rumania i ka kërkuar NATO-s një përgjigje të përbashkët ndaj sulmeve hibride, duke paralajmëruar për shtimin e kërcënimeve që i atribuohen Rusisë në rajonin e Detit të Zi.
Ministri i Jashtëm rumun, Dan Neculaescu, deklaroi se aleanca duhet të krijojë një panoramë të përbashkët të kërcënimeve dhe të identifikojë lidhjet mes sulmeve të regjistruara në vende të ndryshme të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt”, ai theksoi se sulmet hibride nuk kufizohen vetëm te veprimet ushtarake, por përfshijnë edhe sulme kibernetike, operacione informative, propagandë dhe fushata dezinformimi.
Ministri pranoi se brenda NATO-s ka qëndrime të ndryshme për përfshirjen më të drejtpërdrejtë të aleancës në këtë drejtim. Disa vende mbështesin një qasje të përbashkët operative, ndërsa të tjera druhen se kjo mund të përshkallëzojë tensionet me Moskën.
Neculaescu akuzoi gjithashtu Rusinë se synon të vendosë kontroll ekskluziv mbi Detin e Zi, duke theksuar se Rumania, Bullgaria, Turqia dhe Ukraina kanë të drejtë të mbrojnë interesat dhe sigurinë e tyre.
“Deti i Zi po bëhet një pikë e dobët në sigurinë evropiane”, paralajmëroi ai, duke përmendur incidentet me dronë, minat detare dhe sulmet ndaj anijeve tregtare.
Sipas ministrit rumun, anije tregtare pranë brigjeve të Rumanisë janë goditur vazhdimisht nga dronë të dyshuar si rusë, ndërsa disa prej incidenteve kanë shkaktuar viktima, të plagosur dhe fundosjen e anijeve.
Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, NATO ka shtuar patrullimet ajrore dhe detare në rajonin e Detit të Zi.
