Dosja “Partizani”, Paro Laçi plas akuzat: Malltezi më ofroi miliona që të heshtja
“Më kërcënuan me vdekje”
Paro Laçi, një nga dëshmitarët e Prokurorisë së Posaçme në procesin gjyqësor për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ka bërë akuza të rënda për kërcënime ndaj jetës së tij dhe përpjekje të pretenduara për ta bindur që të mos dëshmojë.
Ish-presidenti i klubit ndodhet në Zvicër, ku po ndjek procedurat për azil politik. Në një intervistë televizive, ai deklaroi se ka kërkuar mbrojtje nga autoritetet zvicerane, duke u paraqitur atyre edhe denoncimet për kërcënimet që pretendon se ka marrë.
Sipas Laçit, persona të paidentifikuar e kanë kontaktuar përmes telefonatave dhe mesazheve, duke i kërkuar të tërhiqet nga çështja. Ai pretendon se presioni ka shkuar deri në kërcënime të drejtpërdrejta për eliminimin fizik.
“Më është bërë presion deri aty sa më kanë thënë se do të më eliminojnë fizikisht, do të më vrasin. Ma kanë dhënë edhe skemën si do më vrasin. Do krijojnë një debat të paqenë, dhe unë do vritem si larje hesapesh. Këtë e kam deponuar edhe në shtetin zviceran”, u shpreh Laçi.
Akuza ndaj Malltezit: Më ofroi miliona euro që të mbyllja gojën
Një tjetër pretendim i fortë i ish-drejtuesit të “Partizanit” lidhet me Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Laçi pretendon se Malltezi i ka ofruar një shumë prej miliona eurosh në këmbim të heshtjes së tij dhe mosdeklarimit për çështjen e privatizimit të kompleksit sportiv.
Ai e sfidoi publikisht Malltezin që të dalë dhe të sqarojë shumën që, sipas tij, i është ofruar.
“Po të dojë të dalë përballë meje, të thotë shumën që ka kërkuar të më paguajë që të mbyll gojën. Të tregojë publikisht shumën me të cilën do të më blejë që unë të mos flas. Sepse unë do të flas. Do të flas nëpërmjet avokatit tim. Kam pretendimet e mia. Flasim për një shumë prej miliona eurosh”, deklaroi ai.
Pavarësisht kërcënimeve që thotë se ka marrë, Laçi u shpreh se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga dëshmia dhe se do të vijojë të ndjekë çështjen përmes avokatit të tij.
Kërkon praninë e Ambasadës amerikane në gjyq
Laçi paralajmëroi gjithashtu se do t’i drejtohet Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me kërkesën që përfaqësuesit e saj të ndjekin nga afër procesin gjyqësor në GJKKO.
Ai kërkon që diplomatët amerikanë të jenë të pranishëm në seancat gjyqësore dhe të shohin nga afër mënyrën se si zhvillohet procesi.
“Ne do t’i drejtohemi Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ta mbikëqyrë këtë proces. Me mbikëqyrje kuptojmë që përfaqësuesit e saj të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit dhe të shohin vetë çfarë po ndodh. Ne nuk do ta pranonim kurrë një pafajësi”, u shpreh Laçi.
GJKKO do ta marrë dëshminë përmes autoriteteve zvicerane
Në seancën e fundit, të zhvilluar të mërkurën, Gjykata e Posaçme vendosi që dëshmia e Paro Laçit të merret përmes një letërporosie drejtuar autoriteteve zvicerane.
Sa i përket kërkesës për përfshirjen e tij në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, gjykata sqaroi se vendimmarrja për këtë çështje i takon Prokurorisë së Posaçme.
Laçi ka denoncuar edhe më herët presionet që pretendon se janë ushtruar ndaj tij për t’u larguar nga ambientet e ish-klubit sportiv, që në fazat e para të procedurave të privatizimit.
Sipas SPAK, familja Berisha ka përfituar miliona euro nga privatizimi i ish-kompleksit “Partizani”. Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi janë të pandehur në procesin gjyqësor, ku përballen me akuza për korrupsion dhe pastrim parash.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



