Pas më shumë se 12 orësh reshjesh intensive shiu, të cilat përfshinë qytetin e Vlorës gjatë ditës së sotme, rreth orës 21:30 reshjet kanë pushuar. Megjithatë, situata vijon të mbetet problematike në disa zona të qytetit, për shkak të pranisë së ujit. Problematike paraqitet situata në zonën e Pavarësisë 3, e njohur nga banorët e Vlorës edhe si zona e Albano dhe Rominës, ku uji vijon të jetë i pranishëm në rrugë, duke vështirësuar qarkullimin. Ndërkohë, punonjësit e Ujësjellës-Kanalizimeve Vlorë ndodhen në terren për të monitoruar situatën, por edhe për të ndërhyrë në pastrimin e pusetave.