Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë për abuzimet dhe skemën e njohur me emrin “5D”.
Gjatë një interviste në emisionin “Zona e Lirë” në News24, Korreshi tha se përmasat e abuzimit janë bërë të tilla që nuk mund të mbulohen më. Ai pretendoi gjithashtu se punësimi në administratën publike është kthyer në një proces të varur nga patronazhistët.
Të lidhura
None found
Sipas deputetit demokrat, rasti “5D” dëshmon ekzistencën e një mekanizmi të organizuar korrupsioni. Ai deklaroi se ryshfeti nuk funksionon më si një praktikë e veçuar, por është shndërruar në një sistem të mirëstrukturuar dhe institucionalizuar.
Korreshi u ndal edhe te situata e zv.kryeministres Belinda Balluku dhe diskutimet për imunitetin e saj. Ai tha se argumentet e përdorura më herët për të justifikuar mbrojtjen e saj në Kuvend nuk qëndrojnë më pas akuzave të reja të bëra publike.
“Kur abuzimi arrin në këto nivele, nuk mund ta fshish. Nëse nuk je patronazhist, nuk futesh dot as si rojë. Këta krijuan 5 D. Ajo që po ndodh është shumë e frikshme. Deri dje merrej ryshfet, ndërsa këta e kaluan të gjithë në sistem. Për mua bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal. Nëse ideon diçka, krijon dhe ke pushtetin për ta realizuar atë gjë… Për Ballukun u tha se nuk do t’i hiqej imuniteti, por sot përballesh me ndryshimin drastik, me 5 akuza apo 6 shumë të rënda. Pra, alibia e përdorur për ta mbrojtur Ballukun me karton ka rënë…”, u shpreh ai.








