Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në futbollin polak, ku një person i paidentifikuar hyri në fushë me trotinet elektrik gjatë përballjes mes Stal Stalowa Wola dhe Legia Varshavës II, duke shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të lojës.
Takimi u zhvillua të premten mbrëma, në kuadër të javës së 18-të të kategorisë së dytë të futbollit polak, dhe përfundoi me fitoren 3-2 të skuadrës vendase.
Të lidhura
None found
Gjatë minutave shtesë, personi hyri në terren dhe përshkoi një pjesë të konsiderueshme të fushës, ndërsa forcat e sigurisë nisën ta ndiqnin.
Për shkak të pranisë së tij, arbitri u detyrua të ndalte ndeshjen për disa momente. Mediat polake raportuan se personi arriti të dilte nga zona ku mbulonin kamerat, ndërsa mbetet e paqartë nëse pjesëtarët e sigurimit mundën ta ndalonin. Pas kësaj ndërprerjeje të shkurtër, loja rifilloi normalisht.
Megjithatë, hyrja e tij në fushë nuk ishte e vetmja situatë që tërhoqi vëmendjen gjatë kësaj ndeshjeje.
Legia Varshava II e nisi takimin në mënyrën më të mirë, duke kaluar në avantazh të dyfishtë brenda 20 minutave të para. Adam Ryczkowski shënoi në minutën e tetë, ndërsa Przemyslaw Mizera realizoi golin e dytë në minutën e 20-të.
Stal Stalowa Wola reagoi pas pushimit dhe nisi përmbysjen. Maciej Sliwa shkurtoi diferencën në minutën e 69-të, ndërsa Jakub Jelen barazoi rezultatin dhjetë minuta më vonë.
Goli që vulosi përmbysjen erdhi në minutën e 85-të, kur Maksymilian Hebel ekzekutoi saktë një penallti dhe i dha vendasve fitoren 3-2.
Stal Stalowa Wola mori kështu tri pikët pas një rikthimi të rëndësishëm, ndërsa përballja do të kujtohet edhe për ndërhyrjen e personit që hyri në fushë me trotinet elektrik.







