Alban Bushi për lojtarët nga Kosova: Nuk ka rëndësi nëse luajnë për Shqipërinë apo Kosovën, ne jemi një
Trajneri i Kombëtares shqiptare U21, Alban Bushi, në një intervistë për Televizionin Dukagjini, ka folur për kundërshtarët e Shqipërisë në Kampionatin Evropian, bashkëorganizimin e këtij evenimenti me Serbinë, si dhe mundësinë e afrimit të futbollistëve nga Kosova dhe diaspora.
Shqipëria do të përballet me Spanjën, Italinë dhe Finlandën, ndërsa Bushi beson se përballjet e mëparshme me spanjollët dhe italianët mund t’i shërbejnë skuadrës së tij.
“Kemi luajtur me Italinë dhe Spanjën, i njohim. Ndeshja me Spanjën, 0-0 në ‘Air Albania’, do të jetë frymëzuese. Në Evropian mendojmë ta përballojmë akoma më mirë dhe ta fitojmë ndeshjen”, deklaroi Bushi për Televizionin Dukagjini.
Tekniku shqiptar foli edhe për bashkëorganizimin e Evropianit mes Shqipërisë dhe Serbisë, duke theksuar rëndësinë historike të këtij evenimenti për vendin.
“Unë mendoj që Shqipërisë i bën mirë dhe e promovon në gjithë Evropën, gjithë botën, e motivon gjithashtu. Ka shumë përfitime edhe nga ana financiare, është përmirësuar shumë infrastruktura, është një motivim shumë i madh për fëmijët e vegjël. Kanë mundësi t’i shohin yjet e tyre në Tiranë – Holanda, Gjermania, Spanja. Mendoj që ka vetëm gjëra të mira, është diçka historike për Shqipërinë. Kush do ta kishte menduar ndonjëherë që ne do të organizojmë një Evropian? UEFA ka pasur shumë vlerësim për ne që na dha këtë mundësi të organizojmë një eveniment kaq të madh e të rëndësishëm si Evropiani”, u shpreh ai.
I pyetur nëse pret ndonjë emër nga Kosova apo diaspora që t’i bashkohet Kombëtares shqiptare, Bushi u përgjigj shkurtimisht:
“Grupi do të jetë ai që ka qenë, pastaj do të shohim.”
Ndërkohë, i pyetur nëse ka kontaktuar ndonjë futbollist nga Kosova, trajneri shqiptar theksoi se zgjedhja se cilën kombëtare dëshirojnë të përfaqësojnë u takon vetë lojtarëve.
“Shqiptarët e Kosovës gjithmonë kanë qenë pjesë e Kombëtares. Ne jemi një. Ai duhet të përfaqësojë një vend. Kosova ka shumë lojtarë, luajnë edhe këtu, edhe atje, varet se ku dëshirojnë ata. Nuk ka ndonjë problem që luajti për Shqipërinë apo për Kosovën, ne jemi një”, përfundoi Bushi në intervistën për Televizionin Dukagjini.













