Anketa e “Monitor”; Gati 93% kanë zero besim tek institucionet qeveritare, nga korrupsioni i lartë

Jemi në kushtet e një krize besimi. Gati 93% e vlerësimeve të anketuesve për institucionet qeveritare shprehin pak ose aspak besim, dhe vetëm 1.9% janë pozitive. Korrupsioni, ndikimi politik dhe mungesa e llogaridhënies janë faktorët kryesorë që kanë gërryer besimin në institucione, sipas një ankete të “Monitor” me 546 pjesëmarrës, kryesisht të arsimuar, të punësuar dhe ekonomikisht aktivë. Kriza e besimit shtrihet përtej qeverisë dhe ka prekur administratën publike, institucionet e pavarura, median, shoqërinë civile, madje edhe institucionet fetare. Të anketuarit ende ruajnë disa shpresa te SPAK, ndërsa perceptimin më pak negativ e ka sipërmarrja private. Edhe më shqetësues është pesimizmi për të ardhmen: mbi gjysma e pjesëmarrësve nuk presin që besueshmëria e institucioneve të përmirësohet gjatë pesë viteve të ardhshme. Shumica dërrmuese, 94%, mbështesin protestat qytetare, ndërsa propozimet për daljen nga kriza shkojnë nga largimi i klasës së vjetër politike dhe reformimi i sistemit zgjedhor deri te krijimi i një alternative të re politike.
Të lodhur nga korrupsioni, mungesa e transparencës dhe e llogaridhënies, cilësia e dobët e shërbimeve publike, zvarritjet administrative, mungesa e profesionalizmit dhe e kompetencës, qytetarët shqiptarë duket se po përjetojnë krizë të përgjithshme besimi.
Pavarësisht reformave të shpallura ndër vite, digjitalizimit të shërbimeve dhe premtimeve për një administratë më efikase dhe më pranë qytetarëve, në periudhën e deklarimit të “besës”, “vlerave” dhe “pasqyrave”, perceptimi për mënyrën se si funksionojnë institucionet mbetet kryesisht negativ.
Pakënaqësia nuk kufizohet vetëm tek institucionet politike, por shtrihet edhe tek ato me të cilat qytetarët ndërveprojnë në përditshmërinë e tyre, për të marrë shërbime apo për të ushtruar të drejtat e tyre.
Madje, në ndryshim nga vrojtime të mëparshme, humbja e besimit tek institucionet publike, në fakt, duket se ka pasur një efekt zinxhir dhe më gjerë, tek organizata që shpesh nuk kanë lidhje me shtetin, që nga organizatat joqeveritare, mediat, e deri tek ato fetare.
Revista “Monitor” realizoi një anketim nëpërmjet platformës ECR (Engaged Citizens Reporting), një instrument digjital i zhvilluar nga BIRN, që synon të nxisë angazhimin e qytetarëve në raportimin mediatik. Anketa kishte si qëllim të vlerësonte nivelin e besimit të lexuesve tek institucionet që qeverisin vendin, institucionet e pavarura, si dhe ato që ofrojnë shërbime për qytetarët dhe bizneset.
Në anketë morën pjesë 546 të anketuar, 67% e të cilëve ishin meshkuj. Dominonin grupmoshat 30-39 vjeç dhe 40-49 vjeç, me nga 34% të totalit secila, ndërsa grupmosha 20-29 vjeç përbënte 12% të pjesëmarrësve.
Sipas shpërndarjes gjeografike, 75% e të anketuarve banonin në Tiranë, 5.1% në Durrës dhe 4.6% në Vlorë.
Pjesëmarrësit në anketë karakterizoheshin nga një nivel i lartë arsimimi. Rreth 52% e tyre kishin arsim pasuniversitar dhe 45% arsim të lartë. Pjesa dërrmuese, 92% e të anketuarve, ishin të punësuar.
Në përputhje me profilin e audiencës së “Monitor”, me nivel të lartë arsimimi dhe aktive në tregun e punës, një pjesë e konsiderueshme e pjesëmarrësve kishin të ardhura familjare relativisht të larta.
Rreth 29% e të anketuarve deklaruan se të ardhurat mujore të familjeve të tyre i kalonin 300 mijë lekë. Gati 20% kishin të ardhura familjare nga 200 deri në 300 mijë lekë në muaj, ndërsa 17% deklaruan të ardhura nga 100 deri në 150 mijë lekë.
Pjesëmarrja ishte e hapur dhe vullnetare. Për rrjedhojë, kampioni nuk është përfaqësues për të gjithë popullsinë shqiptare, por gjithsesi ofron një pasqyrë të perceptimit të një segmenti të shoqërisë me nivel të lartë arsimimi, ekonomikisht aktiv dhe kryesisht në moshë pune.
Gati 97% me arsim të lartë
Pjesëmarrësit në sondazh karakterizoheshin nga një nivel i lartë arsimimi. Rreth 52% e tyre kishin arsim pasuniversitar dhe 45% arsim të lartë. Pjesa dërrmuese, 92% e të anketuarve, ishin të punësuar.
Institucionet qeveritare, gati 87% e të anketuarve nuk kanë aspak besim
Institucionet që hartojnë politikat e vendit, administrojnë paratë e taksapaguesve dhe kanë përgjegjësinë për përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve, rezultojnë të kenë një nivel jashtëzakonisht të ulët besimi mes pjesëmarrësve në sondazhin e “Monitor”. Në asnjë prej 17 institucioneve qeveritare të përfshira në anketë, përqindja e atyre që shprehin besim ose besim të plotë nuk arrin as në 5%.
Pothuajse 93% e vlerësimeve për 17 institucionet qeveritare të përfshira në anketimin e “Monitor” shprehin mungesë ose nivel të ulët besimi, ndërsa vetëm 1.9% janë pozitive.
Mesatarisht, 86.8% e të anketuarve nuk kanë aspak besim tek institucionet qeveritare, 6.1% kanë pak besim, 3.7% kanë besim të moderuar, ndërsa vetëm 1.4% shprehin besim dhe 0.5% besim të plotë. Rreth 1.5% nuk kanë një opinion. Për herë të parë në sondazhet e “Monitor” renditjen do ta bëjmë duke krahasuar vlerësimet negative sepse i tillë është rezultati i sondazhit me nota pozitive pothuajse të papërfillshme statistikisht.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin kryeson për nivelin e mosbesimit, me 90.8% të të anketuarve që deklarojnë se nuk kanë aspak besim.
Rezultati përkon me mosbesimin e thellë ndaj vetë Kuvendit të Shqipërisë, institucionit ku përfaqësuesit e zgjedhur me votën e qytetarëve vendosin për politikat e vendit, miratojnë ligjet dhe duhet të kontrollojnë veprimtarinë e qeverisë. Mungesa e besimit tek institucionet e përfaqësimit parlamentar vë në pikëpyetje perceptimin e qytetarëve për funksionimin e demokracisë dhe përfaqësimin e interesave të tyre në vendimmarrje.
Ministria e Arsimit renditet e dyta, me 89.7% të të anketuarve që nuk kanë aspak besim dhe asnjë që shpreh besim të plotë. Ishin pikërisht studentët që nxitën valën e dytë të protestave qytetare, të pakënaqur me kushtet në institucionet arsimore, cilësinë e mësimdhënies, akomodimin dhe kostot e larta të jetesës.
Përtej problematikave të sistemit arsimor, shqetësimet e studentëve reflektojnë edhe pasigurinë e të rinjve për të ardhmen e tyre në vend.
Kryeministria, përpara godinës së të cilës vijojnë të mblidhen çdo mbrëmje protestuesit, renditet e treta, me 89.6% të pjesëmarrësve që nuk kanë aspak besim. Vetëm 2.6% shprehin besim ose besim të plotë tek institucioni që drejton dhe koordinon politikat qeverisëse.
Sa pak besim tek institucionet qeveritare
Pothuajse 93% e vlerësimeve për 17 institucionet qeveritare të përfshira në sondazhin e “Monitor” shprehin mungesë ose nivel të ulët besimi, ndërsa vetëm 1.9% janë pozitive. Mesatarisht, 86.8% e të anketuarve nuk kanë aspak besim tek institucionet qeveritare, 6.1% kanë pak besim, 3.7% kanë besim të moderuar, ndërsa vetëm 1.4% shprehin besim dhe 0.5% besim të plotë.
Me nga 89.2% të të anketuarve që nuk kanë aspak besim renditen ministrat e Shtetit për Pushtetin Vendor dhe Inteligjencën Artificiale.
Ndërsa qytetarët përballen me problematika të shumta në shërbimet vendore, nga trafiku dhe infrastruktura deri tek administrimi i mbetjeve, as ambicia e qeverisë për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në administratë dhe prokurimet publike nuk duket se ka bindur pjesëmarrësit në sondazh. Jo vetëm ministrat humanoidë por edhe ministrat virtualë, siç ishte ajo e Inteligjencës Artificiale, që u pagëzua me emrin “Diella” nuk ngjallin besim.
Ministria e Mjedisit, me 89% mosbesim të plotë, përballet me sfidën e mbrojtjes së pasurive natyrore përballë zgjerimit të aktivitetit ndërtimor dhe projekteve turistike në zonat e mbrojtura.
Thuajse në të njëjtin nivel është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me 88.8%. Institucioni që administron një pjesë të konsiderueshme të investimeve publike ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e opinionit publik për kontratat koncesionare, PPP-të, kostot e ndërtimit të rrugëve dhe hetimet mbi procedurat e prokurimit.
Rreth 88.6% e të anketuarve nuk kanë aspak besim te Ministria e Bujqësisë, në një periudhë kur sektori po përballet me tkurrje, shpopullim të zonave rurale, konkurrencën e importeve dhe mungesën e financimeve nga programi europian IPARD.
Në të njëjtin nivel është edhe mosbesimi ndaj ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, institucionit që ka pikërisht përgjegjësinë për koordinimin e politikave kundër korrupsionit dhe përmirësimin e funksionimit të administratës.
Mosbesimi mbetet i lartë edhe ndaj Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (87.7%), në kushtet kur familjet shqiptare vijojnë të përballojnë shpenzime të konsiderueshme nga xhepi për shërbimet shëndetësore.
Rreth 87.4% e të anketuarve nuk kanë aspak besim te Ministria e Punëve të Brendshme, në një periudhë kur ndërhyrjet e policisë ndaj studentëve gjatë valës së dytë të protestave qytetare janë shoqëruar me akuza për përdorim të tepruar të forcës.
Rreth 85.9% e të anketuarve nuk kanë aspak besim te Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, si dhe ajo e Financave.
Sipërmarrja ka ngritur vazhdimisht shqetësime për mungesën e një modeli të qartë ekonomik, ndryshimet e shpeshta ligjore e fiskale, konkurrencën e pandershme dhe mungesën e konsultimit me grupet e interesit.
Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Turizmit, Kulturës dhe Sportit kanë gjithashtu nivele të larta mosbesimi të plotë, përkatësisht 85.2% dhe 84.8%, të ndjekura nga Ministria e Mbrojtjes dhe ministri i Shtetit dhe kryenegociatori, me nga 80.2%.
Relativisht “më pak negativ” është perceptimi për Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, ku 75.3% e pjesëmarrësve nuk kanë aspak besim. Institucionet përgjegjëse për integrimin europian kanë një nivel më të ulët mosbesimi krahasuar me pjesën tjetër të kabinetit qeveritar, në një periudhë kur procesi i negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian ka marrë hov.
Megjithatë, edhe për Ministrinë e Jashtme, vetëm 4.7% e të anketuarve shprehin besim ose besim të plotë.
Mungesa e besimit kalon përtej institucioneve qeveritare, por të anketuarve ende u kanë mbetur disa shpresa te SPAK
Mesatarisht, 52.6% e vlerësimeve për 18 institucionet dhe aktorët e tjerë të përfshirë në sondazh shprehin mungesë të plotë besimi, kundrejt 86.8% për institucionet qeveritare.
Nivelin më të lartë të mosbesimit e ka Presidenca (93.8%), siç duket si rrjedhojë e qëndrimit të larguar dhe të heshtur që ka pasur ky institucion ndaj zhvillimeve të trazuara politike e sociale të muajve të fundit.
Duket se pikërisht kjo heshtje, në një kohë kur qytetarët kanë kërkuar më shumë reagim institucional, është perceptuar negativisht nga të anketuarit.
Qeveria dhe Kuvendi, me përkatësisht 88.6% dhe 87% të të anketuarve që nuk kanë aspak besim, janë në të njëjtën linjë me perceptimin për ministritë. As qeverisja vendore, që teorikisht duhet të jetë më pranë qytetarëve, nuk gëzon besimin e tyre (81.1% mosbesim i plotë).
Tre në katër të anketuar (76%) nuk kanë aspak besim te Policia e Shtetit, e cila, ndonëse paguhet nga taksat e qytetarëve për t’i mbrojtur ata, u përball me akuza për ushtrim dhune ndaj studentëve, të miturve dhe qytetarëve gjatë valës së dytë të protestave.
Pothuajse në të njëjtat nivele është mosbesimi ndaj administratës publike (73.6%), ku edhe pas digjitalizimit, qytetarët vijojnë të sorollaten për marrjen e shërbimeve.
Mosbesimi i plotë është gati 50% për INSTAT (49.6%), në një kohë kur po shtohen pikëpyetjet mbi cilësinë dhe besueshmërinë e statistikave zyrtare.
Por, as tek aktorët që duhet të shërbejnë si kundërpeshë ndaj pushtetit, të anketuarit nuk duket se kanë shumë besim.
Rreth 42.5% nuk kanë aspak besim tek organizatat e shoqërisë civile, që duket se nuk kanë arritur të jenë një zë mjaftueshëm i pranishëm në zhvillimet e vendit, dhe 40.7% te media, për të cilën ekziston perceptimi i varësisë nga interesat politike dhe ekonomike.
Kriza e besimit këtë herë duket se është shtrirë edhe tek institucionet fetare (31.7%), të cilat përgjithësisht në sondazhe të tjera vlerësoheshin pozitivisht.
Në gjithë këtë krizë mosbesimi, të anketuarit ende kanë paksa shpresa te Reforma në Drejtësi. Ndryshe nga prokuroria dhe gjykatat e zakonshme për të cilat shprehet mosbesim në nivelin 40-50%, institucionet e posaçme të ngritura për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar kanë një perceptim më pozitiv.
Për Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), që nisi funksionimin më 19 dhjetor 2019, në kuadër të reformës në drejtësi të miratuar në vitin 2016, vetëm 26.7% e të anketuarve deklaruan se nuk kishin aspak besim.
Një perceptim edhe më pozitiv gëzon Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), që nisi funksionimin në të njëjtën datë.
Vetëm 19.8% e të anketuarve pohuan se nuk kishin aspak besim tek ky institucion, duke e renditur atë të dytin për nivelin më të ulët të mosbesimit, pas biznesit privat.
Rreth 26.4% e pjesëmarrësve shprehin besim ose besim të plotë te GJKKO, ndërsa për SPAK kjo përqindje arrin në 33.5%. Edhe pse hetimet e viteve të fundit ndaj zyrtarëve të lartë kanë krijuar pritshmëri për ndëshkueshmërinë e korrupsionit, besimi te SPAK mbetet ende i brishtë, me rreth 40% të të anketuarve që kanë pak ose aspak besim.
Në fund, perceptimin më pak negativ e gëzon biznesi privat, që është dhe gjeneratori kryesor i vendeve të punës në ekonomi dhe kontribuuesi në të ardhurat publike. Vetëm 13.2% e të anketuarve nuk kanë aspak besim te sipërmarrja private, përqindja më e ulët ndër të gjithë aktorët e përfshirë në sondazh.
Korrupsioni, arsyeja kryesore e humbjes së besimit
Korrupsioni është, në pjesën dërrmuese të përgjigjeve, faktori që përcakton nivelin e mosbesimit të të anketuarve ndaj institucioneve. Nga 546 pjesëmarrës në sondazh, 509 kanë përzgjedhur nivelin e korrupsionit si një nga faktorët kryesorë që ndikojnë në besimin e tyre, duke e renditur atë dukshëm përpara çdo problematike tjetër.
Rezultati vjen në një periudhë kur hetimet e SPAK-ut ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë ministra, ish-ministra dhe drejtues të pushtetit vendor, e kanë mbajtur korrupsionin në qendër të vëmendjes publike.
Përtej korrupsionit, qytetarët duket se kanë humbur besimin edhe tek aftësia e institucioneve për të funksionuar të pavarura nga pushteti politik. Rreth 301 të anketuar kanë përzgjedhur pavarësinë nga ndikimet politike, ndërsa 266 kanë evidentuar transparencën dhe llogaridhënien si faktorë përcaktues të besimit.
Mënyra se si merren vendimet, si administrohen fondet publike dhe se sa përgjegjësi mbajnë drejtuesit e institucioneve për veprimet e tyre duket se ka më shumë peshë në perceptimin e të anketuarve sesa vetë cilësia e shërbimeve që marrin.
Profesionalizmi dhe kompetenca e punonjësve të institucioneve janë një tjetër shqetësim, i përzgjedhur nga 207 pjesëmarrës, ndërsa cilësia e shërbimeve është evidentuar nga 99 prej tyre.
Më pak janë përzgjedhur përvoja personale (73) dhe trajtimi i barabartë i qytetarëve (66).
Në një kohë kur një pjesë e konsiderueshme e shërbimeve publike është digjitalizuar, rikthimi i besimit duket se kërkon shumë më tepër sesa përdorimi i teknologjisë në shërbimet e administratës.

Korrupsioni
Nga 546 pjesëmarrës në sondazh, 509 kanë përzgjedhur nivelin e korrupsionit si një nga faktorët kryesorë që ndikojnë në besimin e tyre, duke e renditur atë dukshëm përpara çdo problematike tjetër.
Korrupsioni dominon edhe në përgjigjet ndaj pyetjes se cili është problemi më i madh i institucioneve në Shqipëri. Rreth 66% e të anketuarve, ose 361 nga 546 pjesëmarrës, e konsiderojnë atë problemin kryesor.
Ndikimi politik renditet i dyti, me 13.6% të përgjigjeve, i ndjekur nga mungesa e përgjegjësisë për vendimet (9.5%) dhe mungesa e profesionalizmit (4.4%).
Mungesa e transparencës dhe burokracia kanë marrë një numër shumë më të kufizuar përgjigjesh. Në komentet individuale, të anketuarit kanë evidentuar gjithashtu kriminalizimin e institucioneve, mungesën e meritokracisë dhe lidhjet politike.
Për të anketuarit, problemi i institucioneve shqiptare dukshëm qëndron më shumë te mënyra se si ushtrohet pushteti dhe përdoren funksionet publike sesa te mangësitë profesionale e të cilësisë së administratës në ofrimin e shërbimeve.

Për një pjesë të konsiderueshme të pjesëmarrësve në sondazh, kriza e besimit institucional nuk duket të jetë thjesht një pakënaqësi e momentit, por një problem që ata nuk presin të marrë zgjidhje as në një horizont pesëvjeçar.
Më shumë se gjysma e të anketuarve (54.8%) janë pesimistë se institucionet shqiptare do të bëhen më të besueshme gjatë pesë viteve të ardhshme, ndërsa 40.3% janë shumë pesimistë.
Vetëm 24% e pjesëmarrësve shprehin optimizëm, por edhe mes tyre dominojnë ata që janë disi optimistë. Vetëm 3.1% janë shumë optimistë për të ardhmen e institucioneve.
Një pjesë e të anketuarve (3.5%) e kushtëzojnë optimizmin e tyre me ndryshimin e qeverisë, ndërsa 12.6% nuk anojnë as nga optimizmi, as nga pesimizmi.


Lexoni edhe:
94% e të anketuarve mbështesin protestat qytetare, zgjidhjet e propozuara
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.








