94% e të anketuarve mbështesin protestat qytetare, zgjidhjet e propozuara

Mbështetja për protestat qytetare mbetet e lartë, edhe pas përshkallëzimit të tyre gjatë muajve të fundit. Ndonëse vala e dytë e protestave, e nxitur nga studentët, është shoqëruar me përplasje fizike me policinë, pjesa dërrmuese e të anketuarve nga “Monitor” vijojnë t’i mbështesin ato.
Në anketimin e fundit, 93.8% e të anketuarve deklaruan se i mbështesin protestat, ndërsa 4.4% u shprehën kundër dhe 1.8% deklaruan se nuk i mbështesin ato në formë të dhunshme.
Ky është anketimi i dytë që “Monitor” zhvillon lidhur me protestat qytetare. Sondazhi u realizua nëpërmjet platformës ECR (Engaged Citizens Reporting), të zhvilluar nga BIRN, me fokus besimin ndaj institucioneve dhe zhvillimet e fundit në vend.
Në sondazh morën pjesë 546 të anketuar, 67% meshkuj, 68% të grupmoshës 30-49 vjeç dhe 75% banues në Tiranë. Rreth 97% kishin arsim të lartë ose pasuniversitar dhe 92% ishin të punësuar. Pothuajse gjysma deklaruan të ardhura familjare mujore mbi 200 mijë lekë.
Pjesëmarrja ishte e hapur dhe vullnetare. Ndonëse kampioni nuk është përfaqësues për të gjithë popullsinë shqiptare, ai ofron një pasqyrë të perceptimit të një segmenti të shoqërisë me nivel të lartë arsimimi, ekonomikisht aktiv dhe kryesisht në moshë pune.
Në anketimin e parë të “Monitor”, të publikuar në korrik, 90.7% e pjesëmarrësve deklaruan se i mbështesnin protestat, 6.1% i mbështesnin pjesërisht dhe 2.8% ishin kundër.
Anketa e “Monitor”, nga kapja e shtetit te korrupsioni, arsyet pse po protestohet
Ndryshe nga vera, kur protestat që nisën me kundërshtimin e projektit turistik në Zvërnec kishin kryesisht karakter paqësor, vala e dytë, që mori hov në tetor me përfshirjen e studentëve, është shoqëruar me tensione dhe përplasje fizike ndërmjet protestuesve dhe policisë.
Ndonëse mbështetja për protestat mbetet e lartë, një pjesë e vogël e të anketuarve, gati 2% e të anketuarve, nuk janë dakord me përshkallëzimin e tyre, ndërsa është rritur lehtë edhe përqindja e atyre që shprehen kundër. Krahasimi mes dy anketimeve mbetet orientues, pasi alternativat e përgjigjeve nuk ishin plotësisht identike.

Zgjidhjet nga dorëheqjet e kastës së vjetër të politikës te krijimi i një lëvizjeje të re
Të anketuarve iu drejtua edhe një pyetje e hapur: “Si mendoni se duhet të jetë zgjidhja e krizës?”.
Një nga kërkesat që përsëritet më shpesh në përgjigjet e tyre është dorëheqja e kryeministrit dhe e kabinetit qeveritar. Por, për një pjesë të të anketuarve, largimi i qeverisë aktuale nuk është i mjaftueshëm. Ata kërkojnë largimin e figurave të vjetra politike, si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita, duke e parë krizën aktuale edhe si një krizë përfaqësimi.
“Kriza zgjidhet në momentin kur në krye të të gjitha institucioneve shqiptare vendosen njerëz të mirarsimuar dhe jo militantë partiakë. Që kjo të ndodhë, së pari duhet që intelektualët të angazhohen në politikë, të mbështesin rrëzimin e kësaj qeverie dhe të krijojnë një alternativë qeverisëse me një program të qartë.
Duhet të shpallen zgjedhje të parakohshme, të bëhen ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe në Kodin Zgjedhor, që i lejojnë qytetarit të zgjedhë vetë përfaqësuesin e tij dhe të mos ia lërë atë në dorë një kryetari, i cili, për interesat e tij personale, do të vendosë njerëzit besnikë ndaj tij përpara njerëzve të mirëformuar”, shprehet një mashkull i grupmoshës 30-39 vjeç, nga Tirana, me arsim universitar.
Ndër propozimet që përsëriten është krijimi i një qeverie teknike ose tranzitore, me përfaqësues jopartiakë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, që do të kishte si detyrë kryesore përgatitjen e Reformës Zgjedhore dhe garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
“Qeveri teknike me bazë gjithëpërfshirëse; zhveshja nga përfitimet ekonomike e çdo zyrtari dhe/ose politikani të pasuruar përmes korrupsionit me fondet publike; ndalimi me ligj i pjesëmarrjes së tyre të mëtejshme në politikë dhe administratën publike; kthimi i dinjitetit të mësuesve dhe forcimi i arsimit sipas kurrikulave më të mira europiane”, propozon një mashkull i grupmoshës 50-59 vjeç, nga Tirana, me arsim pasuniversitar.
Zgjidhjet
Ndryshimi i Kodit Zgjedhor, hapja e listave, lehtësimi i përfaqësimit parlamentar të partive të vogla, rishikimi i ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, kufizimi i mandateve të kryeministrit dhe përdorimi i referendumeve si instrument i vendimmarrjes qytetare janë disa nga propozimet konkrete.
Ndryshimi i Kodit Zgjedhor, hapja e listave, lehtësimi i përfaqësimit parlamentar të partive të vogla, rishikimi i ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, kufizimi i mandateve të kryeministrit dhe përdorimi i referendumeve si instrument i vendimmarrjes qytetare janë disa nga propozimet konkrete.
“Zgjidhja duhet të vijë në mënyrë institucionale. Për sa kohë ekziston një sistem zgjedhor, protestuesit duhet të formojnë një grupim politik, duke qartësuar lidershipin, vizionin dhe alternativën që ofrojnë.
Pas kësaj, mund të negociojnë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe, nëse kjo nuk arrihet, mund të tentojnë të faktorizohen fillimisht në zgjedhjet vendore.
Një grupim i tillë duhet të synojë elektoratin gri dhe pjesën e individëve që refuzojnë të votojnë”, argumenton një femër e grupmoshës 30-39 vjeç, nga Tirana, me arsim pasuniversitar.
Një pjesë e të anketuarve shtrojnë pikëpyetjen se çfarë do të ndodhte pas një dorëheqjeje të mundshme të qeverisë, në mungesë të një alternative të re politike.
Në këtë kontekst, propozohet krijimi i një formacioni politik që do të buronte nga lëvizjet qytetare dhe studentore, me përfshirjen e profesionistëve, intelektualëve dhe individëve që nuk kanë qenë më parë pjesë e strukturave tradicionale partiake.
Vijimi i protestave, zgjerimi i pjesëmarrjes qytetare dhe organizimi më i strukturuar i lëvizjes janë alternativa të tjera të sugjeruara.
Krahas ndryshimeve politike, të anketuarit kërkojnë intensifikimin e hetimeve ndaj korrupsionit, pavarësisht përkatësisë politike të zyrtarëve, konfiskimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme, rishikimin e kontratave koncesionare dhe PPP-ve, si dhe shfuqizimin ose ndryshimin e disa ligjeve të kontestuara, ndër të cilat ai për investitorët strategjikë, zonat e mbrojtura dhe Paketa e Maleve.
Nuk mungojnë as propozimet për reforma në arsim, shëndetësi, punësim, mbështetjen e bujqësisë, rritjen e pagave dhe përmirësimin e funksionimit të administratës.
“Ulja e çmimeve të konsumit, krijimi i hapësirave të gjelbra dhe për argëtim, çmime të përballueshme dhe paga më të larta, rritje e pensioneve, rritje e punësimit për njerëzit e kualifikuar.
Bizneset të paguajnë sigurimet për pagat reale, jo ato të deklaruara. Tatimi mbi fitimin të mos jetë njësoj si tatimi mbi dividendin dhe të ardhurat e individit nga depozitat bankare etj.”, shprehet një mashkull i grupmoshës 40-49 vjeç, nga Tirana, me arsim pasuniversitar.
Përtej dallimeve në mënyrën se si e konceptojnë zgjidhjen e krizës, një kërkesë e përbashkët që përshkon përgjigjet është rikthimi i funksionimit të institucioneve mbi bazën e ligjit, meritokracisë dhe llogaridhënies, duke kufizuar përqendrimin e pushtetit dhe duke zgjeruar mundësitë e qytetarëve për të ndikuar në vendimmarrje.
“Zgjidhja e krizës duhet të vijë përmes dialogut të hapur dhe masave konkrete, me afate të qarta dhe përgjegjësi për zbatimin e tyre.
Qeveria duhet t’i dëgjojë kërkesat e qytetarëve dhe të veprojë për arsimin, punësimin e të rinjve, shërbimet publike dhe luftën kundër korrupsionit.
Protestuesit duhet t’i paraqesin qartë kërkesat dhe përfaqësuesit e tyre. Protesta paqësore duhet të mbrohet, ndërsa dhuna dhe vandalizmi të trajtohen sipas ligjit. Policia duhet të veprojë me proporcionalitet.
Shqipëria ka nevojë për njerëz të aftë, ekspertë dhe më shumë hapësirë për të rinjtë në vendimmarrje. Besimi rikthehet me rezultate dhe transparencë”, shprehet një mashkull i grupmoshës 30-39 vjeç, nga Tirana, me arsim universitar.
Dialog
Zgjidhja e krizës duhet të vijë përmes dialogut të hapur dhe masave konkrete, me afate të qarta dhe përgjegjësi për zbatimin e tyre. Qeveria duhet t’i dëgjojë kërkesat e qytetarëve dhe të veprojë për arsimin, punësimin e të rinjve, shërbimet publike dhe luftën kundër korrupsionit. Protestuesit duhet t’i paraqesin qartë kërkesat dhe përfaqësuesit e tyre.
Lexoni edhe:
Anketa e “Monitor”; Gati 93% kanë zero besim tek institucionet qeveritare, nga korrupsioni i lartë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.








