Manchester United ka aktivizuar klauzolën për zgjatjen me një vit të kontratës së Bruno Fernandes, duke siguruar shërbimet e kapitenit portugez deri në qershor të vitit 2028.
Vendimi i drejtuesve të klubit anglez vjen në një moment kur negociatat për një kontratë të re afatgjatë me mesfushorin kanë mbetur pezull. Sipas raportimit të Sky Sports, marrëveshja e mëparshme e 32-vjeçarit përfundonte në qershor të vitit 2027, por United ka vendosur të shfrytëzojë opsionin për zgjatjen e saj me 12 muaj.
Fernandes raportohet se ka refuzuar dy oferta për rinovimin afatgjatë, ndërsa palët kanë rënë dakord që bisedimet të rihapen në një moment të mëvonshëm. Për momentin, vëmendja e klubit dhe e lojtarit është përqendruar te përmirësimi i rezultateve dhe rikthimi te fitoret.
Në një intervistë për Sky Sports, kapiteni portugez konfirmoi se drejtuesit e Manchester United i kishin propozuar një kontratë të re, por theksoi se aktualisht përparësi duhet të ketë ecuria e skuadrës.
Bruno Fernandes iu bashkua Manchester United në janar të vitit 2020, kur u transferua nga Sporting CP. Që prej vitit 2023, ai mban shiritin e kapitenit dhe është kthyer në një nga lojtarët kryesorë të ekipit.
Në total, mesfushori ka shënuar 115 gola në 343 ndeshje me fanellën e klubit anglez në të gjitha kompeticionet.

