Pavarësisht se kanë kaluar plot 2 vite, besojmë ju kujtohet sadopak historia e koreografit të famshëm Dritan Brama, i cili kishte rënë pre e një mashtrimi miliona lekësh që do duhej të përfitonte nga projekti artistik “Tirana Open”, zhvilluar në ditët e fundit të muajit gusht 2023, pranë Liqenit Artificial të Tiranës që u financua nga Bashkia e kryeqytetit. Një nga kushtet që të fitohej ky projekt ishte aplikimi përmes një organizate, në emër të së cilës u kaluan edhe lekët nga donatorët dhe personi që doli garant për Tan Bramën ishte Indrit Picalli. Shuma për të cilën pretendon koreografi është rreth 19 milionë lekë të vjetra, brenda të cilës ishin edhe shumë detyrime të papaguara nga ai.
Në muajin maj 2024 Indrit Picalli bëri hapin e parë pozitiv në firmosjen e dy kontratave noteriale, në të cilat shprehu vullnetin e tij për të shlyer dy detyrime me vlerë totale 19 milionë lekë të vjetra, deri më datë 10 qershor 2024, por ato para edhe sot e kësaj dite nuk janë shlyer, pavarësisht se edhe kur gazetari Freard Rista u përball me Indritin, ai premtoi se do ja jepte paratë Tan Bramës. Ky i fundit pa si rrugën e fundit denoncimin e kësaj skeme mashtrimi, duke siguruar edhe një dosje shumë voluminoze, faqet e së cilës i japin përgjigje shumë pyetjeve, por më të rëndësishmet janë: Për kë shoqatë bëhet fjalë? Kush i ka marrë lekët dhe sa para realisht duhet të përfitojë Tan Brama?
Shoqata e cila ka përfituar plot 20 milionë e 200 mijë lekë të vjetra nga Bashkia e Tiranës për projektin “Tirana Open”, quhet PIT, “Potencial, Inovacion, Teknologji”, e themeluar në shkurt të vitit 2022 nga Almarin Prenga dhe Irma Dudushi, me drejtues ekzekutiv Arnold Domin. Dy të fundit përfshirë dhe ndërmjetësin Indrit Picalli, janë personat që kanë gisht në skemën e mashtrimit ndaj Dritan Bramës, i cili kur siguroi dosjen e eventit “Tirana Open”, vuri re që aty ishin vetëm 2 bordero dhe një kontratë të firmosura nga ai dhe drejtuesi ekzekutiv i shoqatës, Arnold Domi, ku Tan Brama do të luante rolin e organizatorit dhe moderatorit dhe në fund do të shpërblehej me 1.5 milionë lekë të vjetra. Dritan Brama jo vetëm që mohon që ai të ketë patur vetëm këto dy detyra në këtë event, por pretendon edhe për falsifikimin e firmave të tij në kontratat e nënshkruara.
E përfshirë në këtë skemë me shumë gjasë mashtruese, është edhe një nga themelueset e shoqatës “PIT”, znj.Irma Vaso Dudushi, por rolin e saj në dokumentet që ka përpiluar me Tan Bramën si përfaqësuese e shoqatës, do t’ua shpjegojmë më poshtë.
Lidhur me Arnold Domin, drejtuesin ekzekutiv të shoqatës “PIT”, ju bëjmë me dije se gjatë përballjes me gazetarin Freard Rista, ai tha se zonja Irma Vaso Dudushi nuk është përfaqësuese e shoqatës dhe se firmat apo vulat që ajo ka vendosur, i ka bërë bashkë me Indrit Picallin, pa dijeninë e tij. Gjithashtu Domi pretendoi se njëlloj si Tan Bramës, edhe atij i janë falsifikuar firmat në dosjen e projektit “Tirana Open”. Dhe ndërkohë që çështja është në hetim nga Prokuroria, do ju vëmë në dispozicion disa dokumente vërtet skandaloze.
Më datë 25 korrik 2023 Arnold Domi, si aplikues i projektit “Tirana Open”, autorizon Dritan Bramën si organizator të këtij eventi, diçka që është pasqyruar edhe në bordero, përfshirë dhe një kontratrë me vlerë 500 mijë lekë të vjetra si moderator, po ashtu e pasqyruar në bordero. Mirëpo kontradita mes dokumenteve, është fakti se Arnold Domi e ka cilësuar Dritan Bramën edhe si drejtues të projektit, por nga ana tjetër në bordero ka shënuar emrin e Indrit Picallit si drejtues projekti, duke e shpërblyer me 1.5 milionë lekë të vjetra. Këtë marrëveshje Arnold Domi dhe Indrit Picalli e kanë nënshkruar më datë 14 gusht 2023.
Nga ana tjetër, Irma Dudushi në letra ka luajtur rolin e organizatores në projektin “Tirana Open”, duke përfituar 1 milionë lekë, pa bërë asnjë gjë të vetme. E vetmja gjë që ka bërë zonja Irma është se më datë 8 prill 2024, duke përdorur mbiemrin e vajzërisë, vulos dhe firmos një vërtetim ku deklaron se qëndra “PIT” e përfaqësuar nga vetë ajo, si aplikuese e projektit “Tirana Open”, ka rënë dakord me organizatorin e projektit, Dritan Bramën, që pagesën e plotë 14 milionë lekë të vjetra do t’ja dorëzojë në llogarinë e tij personale më datë 15 prill 2024.
Më pas, me mbiemrin e bashkëshortit, Dudushi, po në cilësinë e përfaqësueses së qëndrës “PIT”, ajo vulos dhe firmos një deklaratë ku zotohet se pas kalimit të fondit nga Bashkia tek qëndra, Dritan Bramës do t’i kalojë 50% e shumës duke përfshirë edhe përqindjen që do të përfitojë organizata si dhe 15% tatim fitim që mbahet nga Bashkia Tiranë. Sipas zonjës Dudushi, çdo veprim do të kryhet përmes rrugëve bankare, por asnjë veprim i tillë bankar nuk është bërë.
Gazetari Rista tentoi disa herë ta kontaktonte zonjën Irma për ta pyetur lidhur me këtë skemë mashtrimi në dëm të koreografit Brama, por asnjë herë të vetme nuk e hapi telefonin, me siguri e njoftuar nga kolegu Arnold Domi pas takimit që ky i fundit pati me gazetarin Rista. Dhe për t’ju rikthyer z.Domi, ju kujtojmë se kur u pyet nëse ka përfituar ndonjë lekë nga projekti “Tirana Open” ai u përgjigj jo, por sipas dokumentit të vulosur nga Bashkia Tiranë, vërtetohet se më datë 24 tetor 2023, pak muaj pas realizimit të projektit “Tirana Open”, bashkia ka derdhur në llogarinë e qëndrës “PIT” me drejtues Arnold Domin rreth 17 milionë lekë të vjetra.
© SYRI.net
VIDEO/ Përfshihet nga flakët një kamionçinë në bypassin Levan-Mbrostar, ndërhyjnë zjarrfikësit
Çfarë ndodhi në Apel? Pse gjyqtarja Miranda Andoni, liroi nga qelia Pirolin e Laçit, vrasësin me pagesë në disa qytete
11 muaj pas denoncimit të Piranjave, dentistja pa licencë vijon aktivitetin, hedh akuza për Urdhrin e Stomatologut