Insajderi ka raportuar lidhur me menaxhimin e fondit humanitar “Ndihmo edhe ti”, ku u mblodhën rreth 400 mijë euro për rindërtimin e shtëpive në veri të Mitrovicës. Gazeta nxorri në pah se Prokurori Special, Naim Abazi, më 18 dhjetor 2024 kishte mbyllur hetimet dyvjeçare, lidhur me këtë rast, ndaj ish-kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.
Edhe pse Prokuroria vlerësoi se nuk u provuan elementet e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, dokumenti i mbylljes së rastit nxjerr në pah mospërputhje shifrash që ngrenë dyshime të reja.
Sipas vendimit të Prokurorisë, në vitin 2012 në buxhetin e komunës janë alokuar (rreth 370 mijë euro) për rindërtimin e shtëpive në veri të Mitrovicës. Mirëpo, në vitet 2016 dhe 2017 janë nxjerrë vendime për shfrytëzimin e (rreth 409 mijë euro). Kur krahasohen këto dy shifra, del një diferencë prej (rreth 39 mijë euro) më shumë. Dokumentet nuk e sqarojnë se nga erdhën këto para shtesë dhe a ekziston ndonjë pasqyrë financiare që e arsyeton këtë mospërputhje.
Dokumenti thotë se nga vendimet prej (rreth 409 mijë euro), janë realizuar vetëm (rreth 157 mijë euro). Kjo do të thotë se (rreth 252 mijë euro) kanë mbetur të parealizuara. Prokuroria pretendon se këto mjete janë bartur në vendime pasuese.
Mirëpo, dokumenti nuk e shfaq asnjë tabelë që tregon se sa para janë liruar, ku janë bartur dhe në cilën llogari kanë përfunduar. Kjo është edhe pyetja kryesore e këtij hulumtimi: ku përfunduan (rreth 252 mijë euro) të fondit humanitar?
Por, edhe për kundër këtyre paqartësive prokurori Abazi ka mbyllur hetimet.
Ky raportim i Insajderit siç duket e ka penguar Agim Bahtirin, i cili ka zgjedhur të deponojë ankesë në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës. Megjithatë, kjo ankesë e tij është hedhur poshtë nga vetë KMShK-ja.
“KMShK ka refuzuar (hedhur poshtë) ankesën e A. B. kundër Insajderi.org për shkrimin me titull “’A. B. nën hetim, Naim Abazi e mbyll dosjen: Ku mbetën 252 mijë eurot e ‘Ndihmo edhe ti’”?, duke konsttatuar se nuk janë shkelur kapitujt II, IV dhe V të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e të vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, përkatësisht prezumimin e pafajësisë, ashtu siç pretendon pala ankuese”, thuhet në komunikat.