Këshilli Drejtues i UP-së i ka shqiptuar masën e vërejtjes me shkrim rektorit Arben Hajrullahu, pas ankesave të studentëve për komunikimin e tij.
Vendimi u mor më 26 nëntor pas një takimi dy-orësh, por ende nuk është protokolluar, ndërsa rektori ka deklaruar se është njoftuar vetëm verbalisht dhe pret arsyetimin zyrtar.
Përplasja nisi në Fakultetin e Mjekësisë, ku studentët bojkotuan mësimin në shenjë kundërshtimi ndaj regjistrimit të vijueshmërisë me kod QR.
Situata u përshkallëzua më 16 nëntor, kur rektori paralajmëroi studentët me humbje të vitit e të statusit, ndërsa stafin akademik me ndalesa page e shkëputje kontrate.
Kjo nxiti protestën e 19 nëntorit para Rektoratit dhe kërkesën e Parlamentit Studentor për hetimin e sjelljes së rektorit që nga viti 2024.