Një kamionçinë është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme në aksin rrugor bypass Mbrostar–Levan.
Ngjarja është regjistruar pak minuta më parë, teksa automjeti po lëvizte në drejtim të Mbrostarit. Në momentin e incidentit, në kamionçinë ndodhej vetëm drejtuesi, i cili fatmirësisht ka arritur të dalë në kohë, pa pësuar lëndime.
Sipas informacioneve paraprake dhe dëshmisë së drejtuesit, gjatë udhëtimit ai ka konstatuar se nga pjesa e motorit po dilte tym. Menjëherë ka ndaluar automjetin, ka aktivizuar frenat dhe është larguar prej tij, duke njoftuar shërbimet zjarrfikëse dhe Policinë.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit. Ndërkohë, shërbimet e Policisë Rrugore kanë marrë masa për disiplinimin dhe normalizimin e qarkullimit të automjeteve në këtë aks.
Nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa kamionçina ka pësuar dëme materiale si pasojë e flakëve.
Shkaqet e rënies së zjarrit pritet të përcaktohen.

