Në përgjigjen për Dukagjinin, një ditë pasi zyrtarë të KFOR-it pritën në Prishtinë përfaqësues të ushtrisë serbe, misioni i NATO-s ka thënë se takimi është pjesë e aktiviteteve të rregullta të JIC-së, të bazuara në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake.

Sipas KFOR-it, këto marrëveshje ofrojnë një kornizë për komunikim, bashkëpunim dhe koordinim ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë, veçanërisht për çështjet që lidhen me vijën kufitare administrative dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve lokale.

“Këto takime janë rutinë. Ato synojnë të sigurojnë informim të ndërsjellë dhe komunikim në kohë dhe efektiv”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

KFOR-i ka theksuar se mban komunikim të rregullt, transparent dhe të drejtpërdrejtë me të gjithë bashkëbiseduesit e tij, përfshirë institucionet dhe organizatat e sigurisë në Kosovë, Forcat e Armatosura të Serbisë dhe organizatat ndërkombëtare.

Sipas KFOR-it, ky komunikim është i rëndësishëm për të parandaluar keqkuptimet, për të zvogëluar rrezikun e tensioneve dhe për të adresuar shqetësimet e mundshme të sigurisë.

Në fund, KFOR-i ka ritheksuar se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244, duke kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes.

Këtë, siç thuhet në përgjigje, e bën në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, sipas roleve të tyre përkatëse.