Patriarku i Moskës dhe i Gjithë Rusisë, Kirill, ka shprehur alarm për përparimin e shpejtë të inteligjencës artificiale, duke e lidhur zhvillimin e saj me profecitë biblike mbi fundin e botës.
Gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare të Këshillit të 28-të Botëror të Popullit Rus, në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar në Moskë, ai paralajmëroi se kjo teknologji mund të prodhojë pasoja të paparashikueshme. Sipas tij, edhe studiuesit e përfshirë në zhvillimin e inteligjencës artificiale kanë ngritur shqetësime mbi mundësinë që ajo të dalë jashtë kontrollit njerëzor.
Të lidhura
None found
Kirill argumentoi se, nëse sistemet e inteligjencës artificiale marrin përsipër vendimmarrjen dhe zëvendësojnë njeriun në funksionet kryesore të shoqërisë, ato mund të shndërrohen në një kërcënim më të madh se energjia bërthamore.
Sipas raportimit të The Washington Post, patriarku e krahasoi situatën me zbulimin e energjisë bërthamore, e cila mund të përdoret si për përparimin e njerëzimit, ashtu edhe për shkatërrimin e tij. Megjithatë, ai theksoi se inteligjenca artificiale mund të paraqesë një rrezik edhe më të madh.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhet me besimin gjithnjë e më të madh që njerëzit u japin përgjigjeve të prodhuara nga këto sisteme. Kirill paralajmëroi se inteligjenca artificiale mund të trajtohet si një “orakull modern”, fjalët e të cilit pranohen si të vërteta absolute dhe nuk vihen më në dyshim.
Ai përshkroi edhe mundësinë që, pasi të marrë kontrollin e proceseve themelore të shoqërisë, inteligjenca artificiale të arrijë në përfundimin se prania e njerëzve nuk është më e nevojshme.
“Përmbushja e profecive të Zbulesës së Gjonit duket më afër se kurrë”, deklaroi patriarku.
Për të treguar nivelin e arritur nga teknologjia, Kirill përmendi disa raste ku makinat kanë kaluar aftësitë njerëzore. Ai iu referua shahistëve më të mirë, të cilët nuk mund të përballen me sistemet më të fuqishme kompjuterike, si dhe aftësisë së makinave për të përpunuar sasi të mëdha informacioni dhe për të përkthyer në shumë gjuhë.
Megjithatë, sipas patriarkut, njerëzit ruajnë dy veçori që nuk mund të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale: vullnetin dhe moralin. Ai vlerësoi se mbrojtja e këtyre cilësive është vendimtare që vendimmarrja të mbetet në duart e njeriut dhe teknologjia të shërbejë vetëm si mjet, pa u shndërruar në një forcë autonome që përcakton zgjedhjet e shoqërisë.
Kirill e lidhi çështjen edhe me ruajtjen e besimit fetar. Sipas tij, kultura e konsumit po dobëson vullnetin dhe qëndrueshmërinë morale të individëve.
Në fjalimin e tij, patriarku i atribuuoi Rusisë një përgjegjësi të veçantë në përballjen me rreziqet e inteligjencës artificiale. Ai tha se vendi mund të ndihmojë në përcaktimin e kufijve të zhvillimit të kësaj teknologjie, duke bashkuar përparimet shkencore me traditën dhe besimin fetar.
Kirill e paraqiti Rusinë si një alternativë ndaj modelit të shoqërisë së orientuar nga konsumi, duke këmbëngulur se zhvillimi duhet të udhëhiqet edhe nga vlerat shpirtërore.
Shqetësimet për inteligjencën artificiale edhe në Vatikan
Patriarku rus nuk është i vetmi udhëheqës fetar që ka folur për pasojat e mundshme të inteligjencës artificiale. Papa Leo XIV ka ngritur gjithashtu çështje etike lidhur me përdorimin e saj, duke vënë theksin te përgjegjësia e njeriut dhe ruajtja e dinjitetit të individit.
Qasja e Kirillit dallon megjithatë për lidhjen e drejtpërdrejtë mes përparimit të inteligjencës artificiale dhe profecive biblike për Apokalipsin. Paralelisht, ai i jep Rusisë një rol të posaçëm në përpjekjet për të shmangur një të ardhme ku teknologjia mund të kontrollojë vendimet njerëzore.








