Pse Jude Bellingham përjashtohet nga rregulli i rreptë i Realit për veturat? - Insajderi
×
  • Sport
  • Sport

    Pse Jude Bellingham përjashtohet nga rregulli i rreptë i Realit për veturat?

    Insajderi
    27 November 2026 - 23:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Jude Bellingham është bërë pronar i një veture krejt të re, të cilën megjithatë nuk do ta ngasë, për shkak të partneritetit fitimprurës të Real Madridit me kompaninë BMW.

    Të enjten u bë e ditur se të gjithë futbollistët e Real Madridit kanë pasur mundësinë të përzgjedhin nga një veturë të re, në kuadër të marrëveshjes së sponsorizimit që klubi ka me prodhuesin gjerman të veturave, e cila nisi në vitin 2022.

    Para BMW-së, partner i Real Madridit ishte një tjetër prodhues gjerman, Audi, ndërsa tash BMW është furnizuesi zyrtar i klubit me vetura.

    Marrëveshja përfshin futbollistët dhe stafin e ekipit të parë, si në konkurrencën e meshkujve ashtu edhe në atë të femrave, si dhe ekipin e basketbollit.

    “Real Madridi nuk përfaqëson vetëm institucionin më të madh sportiv në botë, por edhe një organizatë në zhvillim të vazhdueshëm, e cila synon përsosmërinë në aktivitetet e saj, duke u bazuar në kërkesë, talent, cilësi dhe lidership”, deklaroi Manuel Terroba, president ekzekutiv i BMW-së për Spanjë dhe Portugali.

    Kjo marrëveshje nënkupton se në çdo sezon, futbollistët dhe pjesëtarët e stafit të Real Madridit kanë të drejtë të përzgjedhin një veturë të re.

    Zgjedhjet e fundit të kampionit evropian u konfirmuan përmes një komunikate të përbashkët të Real Madridit dhe BMW-së, ndërsa futbollistët pozuan me veturat e tyre në fushën e stadiumit “Santiago Bernabeu”.

    Zgjedhjet u bënë publike dhe Bellingham ishte njëri prej 15 futbollistëve që përzgjodhën modelin BMW XM Label.

    Bëhet fjalë për një SUV me motor V8 me benzinë dhe sistem elektrik, që prodhon 748 kuajfuqi dhe që ka një vlerë prej rreth 175 mijë funteve.

    Ngjashëm me marrëveshjen që Bayern Munich ka me Audin, edhe futbollistët e Real Madridit janë të obliguar t’i përdorin veturat e tyre për të shkuar në stërvitje dhe në aktivitetet e lidhura me klubin.

    Megjithatë, ky rregull nuk vlen plotësisht për Bellinghamin, pasi 23-vjeçari ende nuk posedon patentë shoferi.

    Mesfushori anglez nuk ka arritur ta marrë patentën në asnjërin prej shteteve ku ka jetuar, pavarësisht se ka ndjekur mësime për vozitje në Gjermani dhe Spanjë.

    Ai i kishte nisur mësimet në moshën 17-vjeçare, por pas transferimit te Borussia Dortmundi pati vështirësi për t’i vazhduar ato dhe, si rrjedhojë, zakonisht dërgohej në stërvitje nga një shofer personal ose nga ndonjë punonjës i klubit.

    Në fillimet e tij te Real Madridi, ai ishte parë duke mbërritur në qendrën stërvitore të klubit në Valdebebas me një taksi Toyota Prius+, ndërsa nëna e tij, Denise, shpeshherë kujdesej për transportin e tij.

    Bellingham kishte folur hapur për vështirësitë e tij me vozitjen në një intervistë për revistën “British Vogue”, ku kishte treguar edhe lejen e përkohshme të vozitjes, teksa prezantonte gjërat që mbante në çantën e tij.

    “Nuk kam patentë të rregullt shoferi, jo. Atëherë isha 17 vjeç dhe ndoshta mendoja se do ta kaloja provimin brenda dy muajsh. Por më pas shkova në Gjermani… dhe, mirë, këto janë vetëm arsyetime.

    U përpoqa në Gjermani, por nuk arrija t’i lexoja shenjat e komunikacionit. Mora edhe një orë praktike në Spanjë, por nuk shkoi aspak mirë. Do të jem gjithmonë pasagjeri që vetëm shijon udhëtimin, pse jo?”, kishte deklaruar ai.

    Bellingham kishte shtuar se, përveç faktit që nuk di të vozisë, nuk është edhe shumë i aftë në gatim apo pastrim, duke u mbështetur te njerëzit e afërt për këto gjëra.

    “Jam i mirë në atë që bëj, por në gjithçka tjetër? Jo edhe aq. Mbështetem te miqtë dhe familja ime për të më ndihmuar me gjëra të ndryshme: gatimin, pastrimin, nëna ime apo kushdo tjetër. Kështu është situata.

    Punoj shumë çdo ditë, gjatë gjithë kohës, dhe kur kthehem në shtëpi, me siguri kam lënë pas dore të mësoj disa prej gjërave më elementare. Por jam i sigurt se do të vijë koha dhe momenti edhe për këtë”, kishte përfunduar anglezi.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark