Qeveria ka miratuar një akt normativ të ri për dëmet materiale që shkaktohen gjatë protestave dhe tubimeve publike. Sipas tij, shteti mund të paguajë dëmet e shkaktuara ndaj qytetarëve dhe bizneseve, ndërsa më pas do t’ua kërkojë paratë personave që i kanë shkaktuar ato.
Kompensimi parashikohet për qytetarët dhe bizneset me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë, kur prona e tyre dëmtohet nga aktet e dhunës gjatë tubimeve.
Pagesa do të bëhet vetëm për pronat që nuk janë të siguruara. Nëse një pronë është e siguruar, dëmin e mbulon kompania e sigurimit, sipas kontratës. Në rastet kur sigurimi nuk mbulon të gjithë dëmin, pjesa tjetër mund të paguhet nga shteti.
Megjithatë, kompensimi nuk do të jepet automatikisht. Për çdo rast, Këshilli i Ministrave do të marrë një vendim të veçantë, ku do të përcaktojë shumën dhe mënyrën e pagesës.
Pasi të kompensojë të dëmtuarit, shteti do t’u kërkojë paratë personave përgjegjës për dëmin.
Avokatura e Shtetit do t’u kërkojë fillimisht pagesën vullnetare. Nëse personat përgjegjës nuk paguajnë brenda 30 ditëve, institucioni mund t’i drejtohet gjykatës.
Kjo procedurë do të zbatohet edhe kur dëmi është shkaktuar ndaj institucioneve dhe pronës publike. Në këto raste, Avokatura e Shtetit do të kërkojë gjithmonë dëmshpërblimin.
Përgjegjës do të jenë personat që kanë kryer dëmtimet, por edhe ata që kanë organizuar ose nxitur aktet e dhunës.
Organizatorët mund të përgjigjen së bashku me autorët, përveç rasteve kur provojnë se nuk i kanë nxitur dhunën dhe nuk kanë pasur mundësi ta parandalojnë atë.
Një tjetër mundësi është që personat përgjegjës ta shlyejnë detyrimin përmes punës në interes publik, në vend të pagesës së parave.
Kjo do të bëhet vetëm nëse personi pranon dhe lidh një marrëveshje me Avokaturën e Shtetit. Puna dhe kohëzgjatja e saj do të përcaktohen në marrëveshje.
Për të miturit do të zbatohen rregulla të veçanta, duke marrë parasysh moshën dhe të drejtën e tyre për arsimim.
Ndërkohë, ndihma ekonomike dhe pagesat për aftësinë e kufizuar nuk mund të sekuestrohen për shlyerjen e këtyre detyrimeve.


























