Rreth 136 kilogramë marihuanë janë sekuestruar të premten në autostradën “Arbën Xhaferi”, afër daljes Doganaj-Kaçanik, në kuadër të planit taktik të koduar “Kufiri 2”. Për rastin janë arrestuar tre persona, mes tyre një polic, ndërsa një tjetër është në arrati.
Prokuroria Themelore në Ferizaj në një konferencë për media ka njoftuar se, pas një pune hetimore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. Ata dyshohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Nga hetimet fillestare dyshohet se personat e përfshirë, shtetas të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, kishin për qëllim transportimin, shitjen dhe shpërndarjen e marihuanës nga Shqipëria, përmes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, me destinacion përfundimtar Turqinë.
Sipas Prokurorisë, një person tjetër i dyshuar për përfshirje në rast ndodhet në arrati. Po ashtu, janë ngritur dyshime për përfshirjen e një polici, ndaj të cilit janë duke u zhvilluar veprimet hetimore dhe procedurale.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rastin dhe për të identifikuar të gjithë personat e dyshuar.
Edhe
Arrestohen dy të dyshuar dhe konfiskohen afro 18 kg marihuanë në Kaçanik
Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit pritet të paraqesë në gjykatë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.
Kapen 136 kilogramë marihuanë, i implikuar dyshohet të jetë edhe një polic
Tre persona janë arrestuar nën dyshimin se u janë gjetur 136 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë. Rasti ka ndodhur të premten në autostradën “Arbën Xhaferi” në afërsi të fshatit Doganaj në Kaçanik, ka njoftuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sipas tij, në rast dyshohet të jetë i implikuar edhe një polic.
Në rast janë sekuestruar edhe tri vetura, një motor me katër rrota dhe 680 euro para të gatshme.
Edhe
Sekuestrohen mbi 6 kg marihuanë e mbi 3 kg heroinë, arrestohet dy të dyshuar
Sveçla ka bërë të ditur se gjatë operacionit një nga veturat e dyshuara ka tentuar të ikën nga Policia duke shkaktuar aksidente dhe policët janë detyruar të shtien për ta ndaluar.
“Gjatë operacionit, njëra nga veturat e dyshuara, në përpjekje për t’i ikur Policisë, ka shkaktuar aksidente trafiku, ndërsa zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin edhe armët e zjarrit për ta ndaluar. Njëra nga veturat e përfshira në këtë rast ngre dyshime për implikimin e një zyrtari policor në këtë veprimtari kriminale. Inspektorati Policor i Kosovës është angazhuar për të hetuar dhe sqaruar plotësisht rrethanat e rastit. Besimin e qytetarëve në Policinë e Kosovës do ta ruajmë dhe forcojmë përmes angazhimit të vazhdueshëm duke pastruar nga radhët e saj çdo individ të lidhur me krimin. Asnjë individ apo zyrtar nuk do të tolerohet të shkelë ligjin, e aq më pak të përfshihet në veprimtari kriminale që helmojnë rininë tonë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.