Në Ditën e Pavarësisë, studentë, qytetarë dhe shqiptarë nga brenda dhe jashtë vendit pritet të mblidhen sot në Tiranë në një protestë kundër qeverisë. Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 10:00, përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa më pas protestuesit pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë.
Prej ditësh, organizatorët dhe protestuesit kanë bërë thirrje për mobilizim masiv, duke kërkuar gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Të lidhura
None found
Ndërkohë, Policia e Shtetit, ka marrë masa të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimit. Rreth 2 mijë efektivë pritet të angazhohen në terren, ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një mbledhje me drejtuesit e strukturave përkatëse, ku janë dhënë porositë për mbarëvajtjen e protestës dhe është hartuar një plan masash.
Në gatishmëri do të jenë forcat e FNSH-së, njësitë Shqiponja dhe Policia Rrugore. Masat e sigurisë do të shtrihen edhe në institucionet kryesore, përfshirë Ministrinë e Arsimit, Kryeministrinë, Parlamentin dhe selinë e Partisë Socialiste.
Kontrolle të imtësishme parashikohen edhe në pikat kufitare, për të verifikuar personat që do të hyjnë në Shqipëri nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, në kuadër të masave të marra për protestën.
Ndërkohë, qarkullimi rrugor në kryeqytet do të kufizohet në varësi të itinerarit që do të ndjekin protestuesit. Angazhimi i forcave të policisë në terren do të nisë që prej orës 07:00 të mëngjesit.






