Besnikëria ndaj Trumpit mund t’i dëmtojë Vance dhe Rubion në garën për Shtëpinë e Bardhë
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, po përmenden si kandidatët kryesorë të mundshëm të republikanëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. Megjithatë, politikat e Donald Trumpit mund të kthehen në pengesë për të dy, pasi vendimet e presidentit nuk përputhen gjithmonë me qëndrimet e tyre politike.
Lufta me Iranin dhe përplasjet brenda administratës për çështje të sigurisë kombëtare kanë nxjerrë në pah dallimet mes Vance dhe Rubios. Këto zhvillime mund t'ua vështirësojnë ndërtimin e një profili të pavarur politik, ndërsa të dy vazhdojnë të jenë pjesë e administratës Trump.
Vance është përpjekur të distancohet nga lufta me Iranin, duke argumentuar se ajo ka ndikuar në humbjen e republikanëve në zgjedhjet e fundit për Kongresin. Ai ka mbajtur qëndrim kundër përfshirjes së mëtejshme ushtarake amerikane jashtë vendit, në përputhje me profilin e tij politik që favorizon kufizimin e ndërhyrjeve të SHBA-së në konfliktet ndërkombëtare, shkruan axios.
Rubio, në anën tjetër, ka mbështetur vendimin e Trumpit për ndërhyrjen në Iran dhe ka mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj kundërshtarëve të Uashingtonit, veçanërisht Kinës dhe Rusisë. Dallimet mes tyre janë shfaqur edhe në çështjen e drejtuesit të Nvidia-s, Jensen Huang, rikthimin e të cilit në krye të kompanisë Trump e mbështeti publikisht, pavarësisht shqetësimeve për lidhjet e tij me Kinën.
Sipas raportimeve, Vance kishte luajtur rol në ndërmjetësimin e rikthimit të Huangut, ndërsa Rubio kishte shprehur shqetësime për çështjet e sigurisë kombëtare që lidhen me të. Kjo situatë nxori në pah dallimet brenda administratës për mënyrën se si duhet të trajtohen marrëdhëniet me Kinën dhe interesat e kompanive amerikane të teknologjisë.
As Vance dhe as Rubio nuk kanë konfirmuar zyrtarisht nëse do të garojnë për nominimin republikan në vitin 2028. Vance pritet të marrë një vendim pas Vitit të Ri, ndërsa Rubio ka lënë të kuptohet se nuk do të kandidojë nëse zëvendëspresidenti hyn në garë.
Të dy kanë përfituar politikisht nga pozitat e tyre në administratën Trump, por njëkohësisht përballen me sfidën e distancimit nga vendimet e presidentit pa humbur mbështetjen e bazës republikane. Pikërisht kjo mund të jetë një nga pengesat kryesore në përpjekjet e tyre për të ndërtuar kandidaturat presidenciale të vitit 2028. /Telegrafi/





























